Sport
Real Madridi ofron 120 milionë euro për dyshen e Arsenalit
Demokracia
11:05 | 13 Maj 2025

Share:

Real Madridi është duke planifikuar një goditje të madhe në merkato, me synimin për të transferuar dyshen e Arsenalit, William Saliba dhe Myles Lewis-Skelly.

Sipas raportimeve nga Fichajes, presidenti Florentino Perez është i gatshëm të shpenzojë rreth 120 milionë euro për të sjellë të dy lojtarët në “Santiago Bernabeu”.

William Saliba konsiderohet si objektivi kryesor. Mbrojtësi francez ka pasur një sezon të shkëlqyer me Arsenalin dhe shihet si zgjidhja ideale për të përforcuar mbrojtjen e Realit, e cila ka vuajtur nga dëmtimet e Eder Militaos dhe Antonio Rudiger.

Ndërkohë, Myles Lewis-Skelly është gjithashtu në radarin e Los Blancos. 18-vjeçari ka spikatur me paraqitjet e tij te Arsenali dhe është vlerësuar për fleksibilitetin në fushë, duke luajtur si anësor apo edhe si mesfushor sulmues.

Real Madridi e sheh Skellyn si një investim afatgjatë dhe pjesë të një strategjie të re për të siguruar talente premtuese që mund të shndërrohen në yje në të ardhmen.

Të dy lojtarët kanë kontrata të vlefshme me Arsenalin, çka e bën transferimin e tyre kompleks, por jo të pamundur. Klubi londinez do të kërkojë një shumë të konsiderueshme për t’i lënë të lirë.

Megjithatë, drejtuesit e Realit besohet se janë duke punuar në prapaskenë për të ndërtuar një ofertë që do ta bindë Arsenalin ta shqyrtojë propozimin.

Florentino Perez e konsideron këtë si një lëvizje strategjike për të forcuar skuadrën me cilësi dhe rini, duke siguruar konkurrencë të qëndrueshme në të ardhmen.

Të ngjashme