Sport
Real Madridi mbetet i detyruar t’i paguajë Fenerbahces miliona euro shkaku i Guler
Demokracia
08:22 | 04 Maj 2025

Share:

Arda Guler do të përballet me një sezon kyç tek Real Madridi në edicionin 2025/2026 teksa pyetjet mbesin aty sa i përket të ardhmes së tij afatgjatë tek klubi. 

‘Los Blancos’ kompletuan transferimin e sensacionit turk në qershor të vitit 2023 nga Fenerbahce, duke mposhtur Barcelonën në garën për shërbimet e tij. 

Ai iu bashkua klubit si njëri nga lojtarët më perspektivë të futbollit evropian, por ndikimi i tij në Madrid ka qenë i limituar. 

Një kombinim i lëndimeve dhe hezitimi i Carlo Ancelottit për ta futur në lojë, ka bërë që të pengohet progresi i tij. 

Sidoqoftë, 20-vjeçari ka shfaqur disa shenja pozitive gjatë javëve të fundit, teksa Real Madridi po synon ta vazhdojë luftën për titull në La Liga. 

Paraqitja e tij në finale të Kupës së Mbretit nda Barcelonës më 26 prill ka bërë që ai të kompletojë 50 paraqitje me fanellën e klubit, teksa ka spekulime se Xabi Alonso do t’i japë më shumë minuta sezonin e ardhshëm, nëse kompleton rikthimin në Madrid. 

Ndeshja numër 50-të po ashtu aktivizon një pagesë nga Real Madridi në drejtim të ish-klubit të tij Fenerbahce, për shkak të marrëveshjes së transferimit në vitin 2023. 

Sipas Diario AS, ‘Los Blancos’ do t’i paguajë Fenerbahces 4 milionë euro, pasi klubi turk do të marrë një kompensim financiar për çdo 25 ndeshje në të cilat Guler luan. 

Kjo i dhuron Fenerbahces një mundësi për të përfituar 10 milionë euro shtesë nga këto lloj marrëveshjesh.

Të ngjashme