Lajme
Reagon Sveçla për gjuajtjen me armë: Thotë se drejtësia ka dështuar, ka mesazh edhe për gazetarët
Demokracia
14:00 | 05 Gusht 2023

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas gjuajtjes me armë zjarri në një lokal në kryeqytet, duke thënë se një person humbi jetën “për arsye të dështimit të drejtësisë” që t’i dënojë kriminelët.

Në një postim në Facebook, ai fillimisht ka përmendur dënimin e Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, ky i pari, që u dënua me burg të përjetshëm.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë. Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.” – ka thënë ai.

Sipas Sveçlës, të përfshirët në rast dyshohen për vepra penale të kryera më herët, dhe se “kur lëngon drejtësia, situatat e tilla janë të pashmangshme”.

“Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre. Është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, por mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.” – ka shkruar ai.

Tutje, Sveçla ka pasur një mesazh edhe për gazetarët, duke thënë se “duhet ta mbrojnë drejtësinë”.

“Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë.” – tha ai.

Në fund, ministri i Brendshëm ka paralajmëruar një taskforcë për hetimin e këtij rasti dhe rasteve të tjera të ngjajshme.

Të ngjashme