Sport
Reagon Prishtina pas kërcënimeve të Ballkanit: Ballkani ekip i ri dhe do ta kuptojë më vonë se kështu nuk bën
Demokracia
13:24 | 03 Prill 2021

Share:

Ballkani e Prishtina do të ndeshen të dielën ndërmjet vete në sfidën kryesore të javës së 27-të në elitën e futbollit kosovar.

Pikët për të dyja skuadrat janë tejet të nevojshme për Ballkanin që kryeson tabelën me 55 pikë, ndërsa Prishtina është e treta me 51 pikë dhe humbja në këtë takim për bardhekaltrit do të thoshte lamtumirë luftës për titull, shkruan Demokracia.com.

Kjo ka bërë që ndeshja të pritet të jetë shumë  e fortë, ndërsa për ta nxehur edhe më shumë atë u përkujdes Ballkani, përmes një reagimi ndaj delegimit të gjyqtarëve, duke mos kursyer as gjuhen e kërcënimit ku thotë se gjyqtarit Shpëtim Murtezi nuk i garantojnë siguri, pasi njihet si një gjyqtar që vazhdimisht e ka dëmtuar Ballkanin.

“Murtezi nuk është i mirëpritur në Suharekë pasi që me veprimet e tij ka irrituar tifozët dhe dashamirët e FC Ballkani, andaj ne si klub nuk mund të garantojmë sigurinë e tij pasi që me veprimin, apo mos veprimin e tij e ka pru punën që të mos jetë i dëshiruar në Suharekë”, thuhej ndër të tjera në reagimin e FC Ballkanit.

Ndaj kësaj mënyre të komunikimit ka reaguar Prishtina. Demokracia.com ka kontaktuar drejtorin sportiv të bardhekaltërve Fisnik Kërçeli i cili ka thënë se kjo mënyrë e presionit ndaj gjyqtarëve nuk është e mirë, madje ai e ka cilësuar Ballkanin si një ekip të ri dhe me kalimin e kohës do ta kuptojnë se kjo gjuhë nuk i dërgon askund dhe nuk është e mirë për askënd.

“Sigurisht që është presion mbi gjyqtarin kjo mënyrë e komunikimit. Janë ekip i ri dhe me kalimin e kohës do ta kuptojnë që kjo mënyrë e reagimit nuk është e mirë. E kanë zgjedhë këtë formë dhe ne konstatojmë se nuk është e mirë. Janë organet kompetente që merren me këtë punë”, ka thënë fillimisht Kërçeli për Demokracia.com, duke folur më pas nëse pas reagimit të Ballkanit, gjyqtari mund të jetë në presion dhe mos ta kryej punën si duhet.

“Sigurisht që gjyqtarët  mund të jetë në presion pas këtij reagimi, por ne besojmë se ata tashmë kanë krijuar një përvojë në referim, janë mësuar me këso lloj presioni dhe tek e fundit  është në favor të karrierës së tyre që të gjykojnë drejt dhe mos të bien në provokime të askujt. Ne besojmë se ata nuk do të ndikohen dhe do të gjykojnë ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka përfunduar Kërçeli.

Të kujtojmë se Ballkani e Prishtina ballafaqohen nesër nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Suharekë. /Demokracia.com

 

Të ngjashme