Njëra nga këshilltaret e presidentes Osmani ka reaguar pas publikimit të lajmit se Presidenca ia ka dhënë tenderin për rregullimin e dyshemeve të zyrave mikut të babait të presidentes Vjosa Osmani.
Këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitia, në një postim në Facebook, duke e mohuar miqësinë e pronarit të kësaj kompanie Jeton Canhasit me babain e Osmanit, ndër tjerash thotë se ky “lajm është i pavërtetë”.
“Presidentja Osmani dhe familja e saj nuk ka asnjë lidhje me këtë operator ekonomik, i cili është shpallur fitues në përputhje me ligjin për prokurim publik, pasi që i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, si dhe ka qenë operator i përgjegjshëm dhe me çmimin më të lirë. Kontrata i është dhënë kompanisë me çmimin më të ulët PA asnjë ndërhyrje. E gjitha procedura është realizuar në mënyrë të rregullt. Aplikimi është bërë në E-prokurim dhe ka qenë i hapur për të gjithë”, shkruan Vitia ndër tjerash.
Sqarim i redaksisë së Demokracia.com:
Redaksia e Demokracia.com rithekson se artikulli i përmendur nga këshilltarja e presidentes është plotësisht i saktë dhe korrekt. Në këtë artikull janë paraqitur dokumentet e tenderit të fituar nga kompania “Arhing”, me pronar Jeton Canhasin, mikun e babait të Vjosa Osmanit.
Miqësinë ndërmjet babait të presidentes Osmani dhe Jeton Canhasit nuk e kemi shpikur ne, por këtë e thotë vetë ai në një deklaratë për portalin tonë.
Përveç kësaj, Demokracia.com ka dërguar pyetje para disa ditësh edhe në Zyrën e Presidentes, megjithatë ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Meqë po kontestohet nga Zyra e Presidentes, Demokracia.com pas pak do ta publikojë deklaratën me zë të Jeton Canhasit, ku ndër të tjera e konfirmon edhe një të vërtetë tjetër.
EKSKLUZIVE: Presidenca i jep tender mikut të babait të Vjosa Osmanit (Dokumente)