Lajme
Reagon ministrja Nagavci që injoron mediat, shkeli ligjin në vitin 2020 duke mos i deklaruar të hyrat e vajzës
Demokracia
19:58 | 24 Maj 2022

Share:

Ministrja Arbërije Nagavci ka reaguar pas raportimit të Demokracia.com, se vajza e saj është punësuar në vitin 2020 në Ministrinë e Financave.

Nagavci, e cila nuk ishte përgjigjur në pyetjen për punësimin e vajzës së saj, madje as përmes mesazheve telefonike, tani ka mohuar se vajza e saj është punësuar në Qeverinë Kurti 1.

Megjithatë, Nagavci aksidentalisht ka konfirmuar se në vitin 2020 ka bërë shkelje ligjore, duke i fshehur të ardhurat familjare dhe mosdeklaruar që vajza e saj merr pagë nga institucionet e shtetit.

Nëse sipas Nagavcit, vajza e saj ishte punësuar prej 20 janarit 2020, atëherë pse ajo nuk e deklaroi pas gati dy muajsh, nga 1 marsi deri më 31 mars 2020 kur ishte afati i rregullt për deklarim të pasurisë edhe pagën e vajzës së saj, por e fshehu atë. Pasi që ishte pandemi, AKK-ja ua kishte mundësuar zyrtarëve deklarimin e pasurisë në formë online edhe disa muaj më pas dhe siç shihet në formularin e Arbërije Nagavcit ajo deklarimin e kishte bërë më 16 qershor të vitit 2020, por sërish pa të hyrat e vajzës së saj.

Në deklarimin e pasurisë së Nagavcit, siç është raportuar nga Demokracia.com, në vitin 2020 nuk figuron që vajza e saj merr pagë nga Ministria e Financave, por ajo figuron që nga viti 2021.

Reagimi i ministres Arbërije Nagavci:

“Lajmi ‘’Edhe ministrja Arbërije Nagavci e “rehatoi” në heshtje vajzën në Ministrinë e Financave’’ është lajm tendencioz dhe i pavërtetë.

Dua të njoftoj opinionit publik se vajza ime Mirjeta Nagavci është angazhuar prej 20 janarit 2020, kur ne nuk ishim në qeverisje, dhe ky angazhim i saj vjen si obligim që ka për shkak të bursës së fituar nga Young Cell Scheme siç edhe mund ta shihni në fotografinë më poshtë.

Për këtë shpifje unë do t’i adresohem Këshillit të Mediave të Shkruara për të proceduar pastaj me Padi”, thuhet në reagimin e Nagavcit”, thuhet në reagimin e Nagavcit.

Sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, organi ku personi zyrtar i lartë ushtron detyrën, njofton Agjensionin shtatë ditë pas fillimit apo përfundimit të detyrës së atij personi.

Neni 40 i këtij ligji thotë se brenda një muaji nga marrja e postit, personi zyrtar i lartë i vë në dispozicion Agjensionit informacionin e mëposhtëm: a. funksioni i cili kryhet si profesionist apo si joprofesionist; b. funksione ose aktivitete të tjera që kryhen nga personi zyrtar; c. funksionet e kryera nga personi zyrtar në periudhën më të afërt para marrjes së postit, d. gjendjen e pasurive të tij ose të personave që janë në marrëdhënie të afërt me të.

Ndërsa, neni 41 thotë se: “Informacioni në lidhje me gjendjen e pasurive të personit zyrtar të lartë ose të personave që janë në marrëdhënie të afërt me personin zyrtar të lartë përmban informacione rreth pasurive dhe të ardhurave të tyre, si më poshtë: a. patundshmëri, b. pasuri e luajtshme në vlerë të madhe, c. zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri komerciale , d. letra me vlerë, e. para të gatshme të mbajtura në bankë, banka kursimesh dhe institucione të tjera kursimi apo kreditore, f. borxhet, garancitë e ndërmarra dhe detyrimet e tjera, dhe g. të hyrat vjetore (që shërbejnë si bazë e tatueshme). 41.2. Pasuri e luajtshme në vlerë të madhe siç referohet në pikën (b) të paragrafit paraprak konsiderohen pasuritë e luajtshme me vlerë mbi 5.000 €”, thuhet më tej. /Demokracia.com/

EKSKLUZIVE| Edhe ministrja Arbërije Nagavci e “rehatoi” në heshtje vajzën në Ministrinë e Financave

Të ngjashme