Lajme
Reagon ish këshilltari i Lekajt që iu ngrit aktakuza për 53 milionëshin e Bechtelit, e quan politik veprimin e prokurorisë
Demokracia
22:22 | 04 Shkurt 2022

Share:

Gjatë ditës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë që ndaj ish ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ndaj ish këshilltarit të tij, Eset Berisha, që dyshohet se nënshkruan një kontratë të dëmshëm për buxhetin e Kosovës në vlerë prej 53 milionë eurove për kompensimin e kompanisë Bechtel-Enka.

Eset Berisha përmes një reagimi në rrjetin social Facebook aktakuzën e ka quajtur të pa bazuar, por sipas tij, ai ka qenë këshilltar politik dhe nuk ka pasur asnjë rol ekzekutiv.

Këtë aktakuzë Berisha e ka quajtur të motivuar politikisht.

Ky është shkrimi i plotë i Berishës në rrjetin social Facebook:

REAGIM NDAJ AKTAKUZËS SË PROKURORISË SPECIALE

Nga fakti se është pritur dita e fundit e kalimit të afatit për përfundimin e hetimeve, flet për vete se cfarë substance mund të ketë kjo aktakuzë, sepse aktakuzat e forta përpilohen shpejt dhe dorëzohen në gjykatë. Por, në shtetin tonë të dashur, jemi mësuar me këso aktakuza kuturu, mbase me këtë është përmbushë një detyrë e dikujt.

Tani disa fakte për aktakuzën dhe hetimet

Për ata që nuk e dinë, poziten e këshilltarit politik në ministri të infrastrukturës e kam ushtruar nga muaji dhjetor 2017 deri në muajin janar 2020.

Kontrata në mes ministisë dhe operatorit e shtatorit 2017, është nënshkruar para se unë të filloj punën në ministri, e kjo tjetra për pagesën e kostos prej 53 mil euro sipas kontratës së vitit 2017, është nënshkruar në shtator 2018.

Pra, prokuroria ka shpenzuar më tepër se 3 vite nga fillimi i hetimeve, për hetimin e kësaj vepre penale, e 30 muaj në hetimet edhe ndaj meje.

Një luftë e pashpallur ndaj meje nga strukturat kishte filluar në vitin 2019, kur u zgjodha drejtor i autoritetit të aviacionit. Atëkohë këta njerëz kishin filluar denoncime me emër dhe anonime për mënyrën e përzgjedhjes time, agjencia antikorrupsion më kishte hetuar në tri departamente për rastin e njëjtë, prokuroria edhe në dy raste tjera, dhe në fund më kishin ruajtur për ‘kurban” për të mbuluar rastin më të madh të pasluftës, të cilin vet e kishin krijuar që nga viti 2015.

E sa i përket akuzave, nuk e di se si prokurorët do të arsyetojnë ngritjen e aktakuzës ndaj një këshilltari politik të ministrit, kur dihet se këshilltarët sipas ligjit nuk kanë kompetenca ekzekutive, administrative apo mbikëqyrëse. Pra, me gjuhë të thjeshtë, këshilltari politik nuk mundet të keqpërdorë pozitën dhe funksionin me nenshkrim te kontratave edhe po deshi, sepse nuk i ka ato kompetenca, nuk ka dokument që mund të nënshkruan apo vulos.

E ai që ka përpiluar dokumentin për arsyeshmërinë e pagesës dhe e ka nënshkruar me dorën e vet, është ftuar nga prokuroria si dëshmitar dhe asnjëherë si i dyshuar, edhe pse në bazë të dokumentit të tij qeveria e ka aprovuar vendimin për pagesën e 53 mil. Prokuroria nuk ka hetuar as të tjerët që kanë aprovuar vendimin, e këtë kontratë e kishte apovuar qeveria apo edhe atë që e ka nënshkruar vet kontratën, si drejtor i prokurimit.

Këso akuza janë serioze sepse mbajne vulen e organeve me të cilat kufizohen të drejtat e njeriut, e bile rrezikohet seriozisht edhe siguria e individit dhe e familjes, si në rastin tim.

Por, kujt i intereson kjo!? Raste penale spektakolare janë inicuar edhe më parë, janë zhvilluar procedura dhe në fund janë mbyllur pa bujë, pas shumë vitesh nëpër gjykata.

Edhe kjo aktakuzë do ta ketë fatin e njëjtë, sepse qëllimi nuk ishte për të hetuar dhe zbuluar.

P.S.

Folësit të qeverisë: drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për rastin e shkarkimit tim, do të ketë ky vend gjyqtar, që kur vendosin një cështje mbështeten në prova sic i obligon ligji, e jo në përshkrim të deklaratave të palëve në 12 faqe, e me gjysë faqe arsyetim të aktgjykimit.

EB

Të ngjashme