Lajme
Reagon ish-anëtari i bordit të RTK-së, publikon dokumentin e një kërkese që e bëri muajin e kaluar
Demokracia
12:53 | 08 Korrik 2021

Share:

Bajram Mjeku, njëri prej anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së, ka reaguar pas votimit të Kuvendit të Kosovës.

Mjeku përmes një shkrimi në llogarinë e tij thotë se muajin e kaluar kërkoi komision hetimor parlamentar për Bordin e RTK-së, përcjell Demokracia.com.

“Kërkesa ime nga Kryetarja e Komisionit, as që është hedhur në diskutim para anëtarëve tjerë të Komisionit dhe ky fakt përbën shkelje flagrante të të drejtave e lirive të njeriut”, ka thënë tutje ai.

Në fund, ai tha se në rast se nuk intervistohet nga një komision hetimor dhe nuk sqarohen detajet e këtyre shkeljeve të mundshme, do të ankohet në gjykatë.

Postimi i plotë:

Pse kërkova komision hetimor parlamentar për Bordin e RTK-së?

Më 21 qershor të këtij viti, i kam dërguar kërkesë me shkrim znj. Doarsa Kica Xhelili, kryetare e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Republikës, që për shkak të ndjeshmërisë, t’i ndjekin procedurat ligjore dhe të themelojnë komision hetimor parlamentar.

Kërkesa ime nga Kryetarja e Komisionit, as që është hedhur në diskutim para anëtarëve tjerë të Komisionit dhe ky fakt përbën shkelje flagrante të të drejtave e lirive të njeriut.

Ja çfarë thuhet në kërkesën time:

E nderuara zonja Kryetare,

Pasi në mbledhjen e fundit të Komisionit për Buxhet, Punë e Transfere në Parlamentin e Kosovës, u rekomandua që në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal të diskutohet për shkarkimin e mundshëm të anëtarëve të Bordit të RTK-së, ua drejtoj këtë kërkesë, të cilën fundja ligjërisht obligoheni ta trajtoni.

Përmes kësaj shkrese, kërkoj nga Ju dhe deputetët tjerë, që të themeloni një komision hetimor parlamentar, i cili do t’i hetonte të gjitha shkeljet e mundshme ligjore të secilit anëtar të Bordit të RTK-së. Siç e dini edhe Ju, secili anëtar i Bordit të RTK-së nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është zgjedhur një për një. Nga një komision hetimor parlamentar, kërkoj që njësoj të intervistohemi një për një dhe për secilin anëtar të mirret vendimi në të njëjtën mënyrë, para se emrat tonë të dërgohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vetëm një komision hetimor parlamentar i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do ta bënte të plotfuqishëm vendimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Vendimet tona në Bord, janë dëshmuar përmes votës dhe janë të vërtetuara edhe në procesverbale. Pikërisht në këtë pikë, gjithmonë e kam bërë dallimin e madh, pa e dëmtuar asnjëherë Radiotelevizionin e Kosovës dhe pa e dëmtuar në dobi timen, apo të ndonjë personi fizik a juridik.

Në rast se nuk intervistohem nga një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të sqarohet në detaje se cilat shkelje të mundshme i kam bërë si anëtar i Bordit të RTK-së dhe në rast se ditëve të ardhshme shkarkohem në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendimin do ta konsideroj politik dhe do ta ankimoj në Gjykatë. I vetëdijshëm se verdikti i Gjykatës mund të vonohet me vite, ka shumë rëndësi që kurdo që të ndodh, të dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes dhe institucioneve të vendit./Demokracia.com/

https://www.facebook.com/bajram.mjeku/posts/10161826439378868

 

 

Të ngjashme