Lajme
Reagon Dardan Molliqaj, pasi u arrestua nga Policia e Kosovës
Demokracia
21:03 | 07 Shtator 2021

Share:

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pasi u arrestua nga Policia e Kosovës pasi zhvilluar një aksion afër vendit ku po mbante konferencë Ekaterina Trendafilova.

Molliqaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, brenda dhe jashtë vendit, përcjell Demokracia.com.

“Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

MBROJTJA E UÇK-SË ËSHTË DETYRË E KOHËS

Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt, një ndërtesë që ia gërryejnë themelin.

Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë.

Ndërkaq dhuna ndaj nesh, nuk është thjeshtë dhunë ndaj nesh. Është dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar.

Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar.

Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë./Demokracia.com/

Të ngjashme