Lajme
Reagon “Çlirimtari”, komplet blerjet e veshëmbathjeve provon t’i arsyetojë me nevojat e Shtëpisë së Personave me probleme fizike e mendore
Demokracia
15:10 | 12 Prill 2023

Share:

Pas raportimit të Demokracia.com lidhur me tenderin e Komunës së Shtimes për veshëmbathje, të titulluar “Brekë, maica e çorape, “Çlirimtari” i Shtimes shpenzon mbi 5 mijë euro në veshmbathje”, ka reaguar më në fund edhe kryetari që nuk përgjigjet pothuajse kurrë në pyetjet e Demokracia.com.

Të vetëshpallurit “Çlirimtar” si duket tani nuk po i pëlqen më as epiteti të cilin ia kishe lënë vetes, duke e cilësuar këtë si qëllimkeqe.

“Reagim ndaj lajmit për furnizim me veshmbathje që dedikohet për pacientët që trajtohen në Shtëpinë e Komunitetit për Persona me Retardime Fizike e Mendore

Sot, në disa portale të ndryshme u plasua një lajm me titull tendencioz me qëllim denigrimin tim si Kryetar dhe institucionit të Komunës së Shtimes.

Në këtë lajm ku në tekst janë shkruar fjali të pavërteta e qëllimkëqija si “Komuna e udhëhequr nga Qemajl Aliu, i vetëshpallur si “Çlirimtari”, në tenderin e dhënë që kap shumën e mbi 5 mijë eurove ka treguar se këto produkte të veshmbathjeve do të shkojnë për disa drejtori” tentohet t’i jepet konotacion negativ nevojës për përkujdesje ndaj personave të cilëve iu ofrohet trajtim i vazhdueshëm në Shtëpinë e Komunitetit për Persona me Retardime Fizike e Mendore, që operon në kuadër të Komunës së Shtimes.

Përmes këtij reagimi, e sqarojmë dhe njoftojmë opinionin publik se artikujt e përmendur janë të porositur ekskluzivisht për pacientët që trajtohen në Shtëpinë e Komunitetit për Persona me Retardime Fizike e Mendore dhe të cilët për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore kanë nevojë për ndërrim të shpeshtë të rrobave.

Shprehim keqardhjen tonë të thellë me nivelin e gatishmërisë se deri ku mund të mbërrijë tendenca e mediave të caktuara për ta njollosur dhe sulmuar qeverisjen tonë, duke i selektuar qëllimisht vetëm disa nga artikujt e shumtë që janë specifikuar në kontratë e ku përfshihen ndër të tjera edhe këmishat, palltot, këpucat, etj., gjithsesi dhe vetëm për pacientët që u ofrohet trajtim shëndetësor, e assesi siç është tentuar të paraqitet në lajmet e shpërndara gjoja për drejtoritë apo stafin komunal.

Andaj, më shumë se sa goditje ndaj qeverisjes lokale në Komunën e Shtimes, ky lajm është përbuzje ndaj një komuniteti të ndjeshëm të shoqërisë sonë e të cilët qëndrojnë në Shtëpinë e Komunitetit për Persona me Retardime Fizike e Mendore.

Etika minimale gazetareske do të duhej të bënte që para se të lansohet një lajm i tillë, të verifikohej me saktësi se kujt i janë dedikuar artikujt, e assesi të mos shpifet dhe të barten tendenca degraduese ndaj qeverisjes, duke dezinformuar e shtrembëruar qëllimshëm synimin parësor të kontratës.

Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe kërkojmë bashkëpunim korrekt me mediat, në frymë të parimeve të vërtetësisë dhe informimit të drejtë për të gjithë qytetarët, që kanë nevojë të njoftohen në mënyrë të duhur!”, përfundon reagimi i kryetarit Qemajl Aliu, i cili sa herë që kontaktohet nga Demokracia.com e ndërpret edhe telefonatën, deri sa komuna e qeverisur prej tij shumë rrallë edhe kthen përgjigje.

Por, çka saktësisht Komuna e Shtimes ka vendosur të blejë më 5 mijë e  483 euro.

Janë përmendur shumë produkte, mirëpo disa më specifiket janë të brendshmet për meshkuj dhe femra.  Si brekë, macia, çorapë, shallvare.

“Brekë pambuku për meshkuj – ngjyrë e mbyllur, për të rritur, Copë 50. Brekë pambuku për femra- ngjyrë e mbyllur, për të rritur Copë  50. Maica të brendshme për femra (Pambuk)   ngjyrë të mbyllur, për të rritur Copë 30.  Maica te brendshme për meshkuj (Pambuk ) ngjyrë të mbyllur, për të rritur Copë 50. Çorapë pambuku për të rritur – ngjyrë të mbyllur Pal 100. Shallvare për femra(Liker), sipas porosis copë 8. Trenerka për femra (komp.) të gomës  jo ngjyrë të bardha, sipas porosis Komp 15. Trenerka për meshkuj (komp.) të gomës 75% pambuk, jo ngjyrë të bardha, sipas porosisë Copë 15”.

Po ashtu janë porositur edhe disa pantallona, këpucë, këmisha e pallto.

“Pantolla ( nr 50, sezona verë ). Këmisha ( nr 41 sezona verë  ). Pallto  ( nr 50 sezona verë  ). Këpucë  ( nr 41 sezona verë  ). Pantolla ( nr 56, sezona verë ). Këmisha ( nr 44 sezona verë ). Pallto ( nr 56 sezona verë ). Këpucë  ( nr 44 sezona verë ). Pantolla ( nr 56, sezona verë ). Këmisha ( nr 44 sezona verë )”. /Demokracia.com/

Ky është artikulli i plotë: https://demokracia.com/breke-maica-e-corape-clirimtari-i-shtimes-shpenzon-mbi-5-mije-euro-ne-veshmbathje/

Të ngjashme