Lajme
Reagon Borrell: BE-ja nuk do të tolerojë aktet kriminale në veri, barrikadat të hiqen menjëherë
Demokracia
12:29 | 11 Dhjetor 2022

Share:

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka dënuar sulmin me shok-bombë ndaj patrullës së EULEX-it në veri të Kosovës.

Borrell në një postim në rrjetin social “Twitter” ka shkruar se BE-ja nuk do të tolerojë akte të tilla të dhunshme, derisa ka bërë thirrje që barrikadat e vendosura në veri të hiqen menjëherë.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës, e akteve kriminale në veri., Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin” , ka shkruar Borrell, përcjell Demokracia.com.

EULEX ka njoftuar se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudarë është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.

EULEX nëpërmjet një njoftimi për media ka theksuar se ky sulm dhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

Lidhur me sulmet në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Italisë, Gjermanisë, Sllovenisë dhe SHBA-së në Kosovë.

Pas tensioneve në veri të vendit sot është mbledhur Këshilli i Sigurisë.

Serbët lokalë kanë vendosur barrikada, në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë./Demokracia.com/

Të ngjashme