Pas raportimeve që qarkulluan gjatë ditës së sotme në media, ku thuhej se ai ishte arrestuar në Kaçanik, ka reaguar vetë babai i Rejan Belës, Sulltan Bela.
Ai ka mohuar kategorikisht që është ndaluar nga policia, duke thënë se ndodhet i lirë dhe nuk ka asnjë kontakt me autoritetet në lidhje me rastin.
“Jo, jo… nuk jam arrestuar. Për momentin gjendem në çarshi”, është shprehur ai për Indeksonline.
Ky reagim vjen pas një aksioni policor të zhvilluar sot në qytetin e Kaçanikut, ku janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së policit Muhamet Lika.
Policia e Kosovës ka konfirmuar ndalimet, por nuk ka dhënë detaje të hollësishme lidhur me identitetin e personave të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik.