Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar kundër idesë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Abdixhiku nëpërmjet një postim në rrjetin social “Facebook”, ka ftuar të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij, përcjell Demokracia.com.
“Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, ka shkruar Abdixhiku.
Kujtojmë se ditë më parë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet në 10 ditë.
Thuajse në përkrahje të tij doli kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, derisa ky i fundit propozoi fushatë veç 5 ditë.
Megjithatë, anulim të fushatës zgjedhore tashmë po kërkon kryekuvendari Glauk Konjufca, i cili vie nga radhët e Vetëvendosjes.
”Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, tha Konjufca.
LEXO EDHE:
Postimi i plotë:
Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet.
Askush s’guxon ta prekë demokracinë.
Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.
Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigjje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë.
KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani.
Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij./Demokracia.com/