Paris Saint-Germaini ka njoftuar përmes një njoftimi për shtyp se Neymar duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike për ta zgjidhur problemin me lëndimin e nyjës në këmbën e djathtë.
Braziliani u lëndua në ndeshjen ndaj Lille gjatë muajit shkurt dhe u nxor jashtë me barelë, ndërsa në fillim besohej se mungesa do të ishte afatshkurtër.
Mirëpo, mjekët i kanë sugjeruar sulmuesit operacion për rregullimin e ligamenteve në nyje, ashtu që ai pritet të mungoje deri në katër muaj, që do të thotë se sezoni ka përfunduar për të.
(Foto: Getty)
“Neymar Jr ka pësuar një sërë rastesh të paqëndrueshmërisë në nyjën e këmbës së djathtë në vitet e fundit. Pas ndrydhjes së tij të fundit, më 20 shkurt, stafi mjekësor i Paris Saint-Germain rekomandoi një operacion riparimi të ligamenteve për të shmangur një rrezik të madh të përsëritjes. Të gjithë ekspertët e konsultuar e kanë konfirmuar këtë domosdoshmëri.
“Operacioni do të kryhet në ditët në vijim në spitalin ASPETAR në Doha. Do të duhen 3 deri në 4 muaj përpara se ai të kthehet në stërvitje me ekipin”, thuhet në njoftimin zyrtar të PSG-së.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i Neymarit në rrjetet sociale, i cili e ka shpërndarë një fotografi të tij me mbishkrimin: “Do të kthehem më i fortë”.
I'll come back stronger 🙏 pic.twitter.com/VBTH9MME02
— Neymar Jr (@neymarjr) March 6, 2023