Lajme
Raundi i parë i votimeve në Kuvend për Presidentin e ri të Shqipërisë do të mbahet më 16 maj
Demokracia
14:37 | 10 Maj 2022

Share:

Më 16 maj do të mbahet raundi i parë i votimit në Kuvend për Presidentin e ri të Shqipërisë, sipas vendimit të Konferencës së Kryetarëve pas takimit në mesditën e sotme.

10 maji ka shënuar zyrtarisht nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidenti të ardhshëm të vendit.

Gjithashtu, Konferenca e Kryetarëve e përbërë nga përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita vendosi datën 15 maj, si afatin për dorëzimin e kandidaturave për President të Republikës.

Gjithashtu mbledhja e parë e komisionit të ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave do të kryhet më datë 16 maj, ora 10:00, ndërsa raporti do kalojë më pas në seancën plenare të pasdites, e parashikuar për në orën 17:00

Propozimi u bë më herët gjatë mbledhjes nga deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila apeloi palët të lënë mënjanë retorikën politike.

Në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma i kërkoi shumicës që t’i jepet opozitës propozimi i parë për emrin e presidentit.

Ajo tha se opozita nuk do të bëhet fasadë e mazhorancës për zgjedhjen e presidentit.

“Nëse ju shpresoni që do të ulemi këtu dhe do të bëhemi noter të procedurave tuaja, kjo është një gjë që nuk mund ta merrni. Ju mund ta zgjidhni presidentin në raundin e katërt, por fasadë nuk do të bëhemi. Megjithëse ju mund të shkoni te 71 votat, jepjani propozimin e parë opozitës, që ta marrë ajo përgjegjësinë që të përfaqësojë identikitin pa kriter. Me kritere ne nuk bëhemi fasadë. Jepjani opozitës, se 71 votat aty i keni dhe do ta donte sëra e gjësë që te presidenti të ishit fisnikë”, tha Duma. /Telegrafi/

Të ngjashme