Lajme
Rasti që shokoi Kosovën| Flet për Demokracia.com djali i gruas nga Istogu që u varros gabimisht në Prizren
Demokracia
17:48 | 10 Shkurt 2022

Share:

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetarët e Kosovës të mërkurën mbrëma. Demokracia.com ka raportuar mbrëmë se trupat e dy viktimave që vdiqën nga Covid-19 janë ndërruar nga kompania “Funerali”.

E pas raportimit të Demokracia.com e ka konfirmuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve E.R dhe M.N, të cilët ndërruan trupat e dy viktimave të Covid-19, duke e varrosur njërën viktimë në Prizren, e që duhej varrosur në Istog, shkruan Demokracia.com.

Kompania kur e ka kuptuar gabimin e bërë rreth orës kishte paguar 300 euro disa persona për ta kryer zhvarrimin e trupit të viktimës. 

Lidhur me rastin ekskluzivisht për Demokracia.com kanë folur familjarët e njërës prej viktimave.

Arben Dreshaj, djali i Zejnepe Dreshajt e cila u varros sot nga familjarët e saj ka treguar se si e kuptuan për ngatërrimin e trupit të pajetë të nënës së tij.

“Po është bërë ndërrimi njëherë. Nëna ka vdekur dje në mëngjes dikur rreth orës nëntë. Vëllai im ka qenë atje. I kanë thënë që mundesh me shku e na të lajmërojmë ty. Na në një far mënyre me do angazhime, nuk e kishim shumë të qartë, njerëzit u mblodhën. Ata na thanë që na e caktojmë varrimin edhe nuk na thirrën deri në mbrëmje. Pas orës 22:00 na kanë thirr, kur ju bonëm pak trysni”, tha Dreshaj i cili është edhe imam në fshatin Vrellë.

Dreshaj ka treguar se pas këtij gabimi iu lejua që ta shohin trupin e pajetë të nënës së tij.

“Na iu thamë që dojmë me caktu varrimin në ora 1 por na thanë jo, në ora 2.  E kam pas të paqartë në një far mënyre”, u shpreh ai.

Dreshaj thotë se janë lënduar nga kjo ngjarje.

“Jemi lënduar, po, po”, shtoi ai. Dreshaj tha se familja nuk e ka lajmëruar rastin në polici dhe se nuk do të bëjë padi.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve E.R dhe M.N, të cilët ndërruan trupat e dy viktimave të Covid-19, duke e varrosur njërën viktimë në Prizren, e që duhej varrosur në Istog, shkruan Demokracia.com.

Në komunikatë thuhet se të dyshuarit më 9 shkurt, kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë për të tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K e që gabimisht kanë tërhequr trupin e viktimës Z.D të cilin e kanë varrosur në Prizren.

“Sipas kërkesës, të dyshuarit E.R., dhe M.N., (punëtorë të një kompanie për shërbime funerale) me datë 09.02.2022, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij. Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria në Prizren ka konfirmuar raportimin e Demokracia.com se kompania në fjalë, ka bërë zhvarrimin e viktimës.

“Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartëcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K. E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë”, thuhet tutje në komunikatë.

Më këto veprime, të dyshuarit E.R., dhe M.N., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).​ /Demokracia.com/

Konfirmohet raportimi i Demokracia.com, Prokuroria jep detaje tronditëse për ndërrimin e kufomave në QKUK

Të ngjashme