Lajme
Rasti Oliver Ivanoviq, avokati Damati: Duket se të gjithë dëshmitarët e mbrojtur nuk do të japin dëshminë
Demokracia
18:11 | 18 Tetor 2022

Share:

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka vazhduar gjykimi në procesin gjyqësor për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Dëshmitari i mbrojtur “B3”, i cili ishte i ftuar të dëgjohet në seancën e së martës, ka refuzuar të deklarohet, siç tha, për shkaqe sigurie.

Avokati i të akuzuarës Silvana Arsoviq, Musa Damati ka thënë për Telegrafin se ka qenë e planifikuar të dëgjohet dëshmitari i mbrojtur.

Mirëpo, sipas avokatit Damati, ashtu si edhe dëshmitarët e tjerë, edhe ky dëshmitar ka refuzuar ta jap dëshminë e tij me arsyetimin se jeta e tij dhe e familjes është në rrezik.

“Jemi në një standard ligjor ku si duket të gjithë dëshmitarët e mbrojtur kanë planifikuar që mos e japin dëshminë e tyre në këtë çështje me arsyetimin se jeta e tyre po kërcënohet dhe është në rrezik. Është mjaft delikate, sepse me të gjithë ato masa të fortifikuara që shteti i Kosovës i ka ofruar për dëshmitarë të mbrojtur në këtë çështje, ata po deklarohen se identiteti i tyre tashmë është zbuluar në publik”, tha ai, për Telegrafin.

Sipas avokatit, “sistemi juridik i Kosovës është i ndërtuar në partneritet të ngushte më BE-në, andaj Gjykata ka vendosur që të aplikoj masa ligjore ende më të fortifikuara për sigurinë e tyre”.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojiçiq kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

LEXO EDHE:

Dëshmitari në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, i frikësuar të deklarohet për arsye të sigurisë se tij

Të ngjashme