Lajme
Rasti i fabrikës së mbetjeve shtazore: Pushteti rikthen akuzat ndaj Prokurorisë, e merr në mbrojtje Pecin
Demokracia
11:43 | 28 Maj 2025

Share:

As në rastin e i fabrikës së mbetjeve shtazore pushteti nuk është distancuar nga të dyshuarit për korrupsion. Ashtu siç kanë bërë për gjatë këtyre katër viteve, zyrtarët qeveritarë kanë vepruar edhe me bastisjet në ministri të Bujqësisë dhe intervistimin e ministrit Faton Peci si i dyshuar për korrupsion.

Menjëherë pas lirimit të Faton Pecit në procedurë, zyrtarët e Qeverisë Kurti janë hedhur në sulm të Prokurorisë Speciale, duke i rikthyer akuzat e moçme ndaj këtij institucioni.

Më e ashpra në këtë drejtim ka qenë zëvendëskryeministrja në detyrë Donika Gërvalla.

Sipas saj, rasti i Pecit është inskenim i prokurorisë.

Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati. Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale. Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në “Facebook”.

Pas Gërvalles në mbrojtje të Pecit ka dalë edhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Derisa ka treguar për hapjen e panairit “Agrokos & Agroturizëm 2025”, Kurti ka lavdëruar punën e Pecit.

Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë. E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Gjatë ditës se djeshme, në mbrojtje Pecit, ka dalë edhe deputetja e LV-së, Albulena Haxhiu, e cila është edhe ministre në detyrë e drejtësisë.

Unë jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme në ministrinë e Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu, nuk ka pasur ndërhyrje, ne kemi pasur rastin të diskutojmë para disa ditëve dhe sot, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti. Pra nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet”, ka thënë ajo.

Në sulm të prokurorisë dhe në mbrojtje të Pecit është hedhur edhe deputeti i VV-së, Nezir Kraki.

Duke postuar një fotografi me Pecin në profilin e tij në “Facebook”, ai ka kritikuar mediat dhe kritikuesit e Qeverisë Kurti.

Dhe kështu erdhem në pikën ku prokurorët e Kosovës e marrin të mirëqenë dhe e shfaqin si provë edhe propagandën më absurde kundër një ministri. Propaganden që bandat politiko-mediatike e gatuajnë dhe e shërbejnë me porosi nga ata që pësuan humbje milionëshe këto 4 vite, prej ditës kur u ndoqen nga arkat e shtetit. Dhe, këta që Radojçiqit ia hiqnin fletarrestet duke e bërë kështu të mundur edhe sulmin terrorist në veri, i vërsulen endacaçke Ministrit që krim të vetëm kishte ringjalljen e bujqësisë dhe rikthimin e shpreses në tokën pjellore të Kosovës. Ministrit që i dinamizoi mbi 120 mijë fermerë duke e rritur tokën e punuar në Kosovë për 50%. Ministrit që ka guxu”, ka shkruar Kraki.

Veç fjalë të mira për ministrin Peci ka pasur deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.

Duke mos përmendur faktin se vëllai dhe daja i saj nga ministria që drejton Peci kishin ftuar nga 100 mijë euro grante, Pacilli e ka vlerësuar lartë punën e Pecit.

Asnjëherë nuk ka pasur më shumë mbështetje për bujqësinë dhe fermerët në Kosovë se sa në 4 vitet e fundit! ✅ 300 MILIONË € për bujqësi ✅ 120 MIJË fermerë përfitues ✅ +275% mbështetje për grurin ✅ +500% për bujqësinë organike ✅ 11 MIJË ha me sisteme të rehabilituara ujitjeje ✅ +50% tokë bujqësore e punueshme (nga 80K në 120K ha) ✅ Rritje e prodhimit vendor & konkurrueshmërisë✅ 13+ MILIONË € për 93 stalla, 2000+ krerë gjedhe & dhjetëra traktorë ✅ Rikthim i pronave me vlerë MILIONA € në duart e shtetit”, ka shkruar Pacollli.

Këto akuza ndaj prokurorisë e kanë shqetësuar shoqërinë civile.

Përmes një komunikate për media, Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka dënuar gjuhen e zyrtarëve qeveritarë ndaj prokurorisë.

Sipas IKD-së, kjo qasje ka për qëllim denigrimin e punës së prokurorisë.

Deklaratat e akterëve politikë që i cilësojnë aksionet e Prokurorisë si “inskenim i gërditshëm” dhe si “hakmarrje” janë të papërgjegjshme dhe përbëjnë tentim për të denigruar punën e prokurorëve të PSRK-së”, është thënë në komunikatën e IKD-së.

Deklaratat e tilla, ka vlerësuar IKD, janë ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë.

Deklaratat e tilla, ashtu siç e kemi thënë në vazhdimësi, përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të papranueshme në sistemin e drejtësisë, dëmtojnë dhe rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë si dhe cenojnë besimin e publikut jo vetëm në institucionet e drejtësisë por edhe tërë sistemin publik të Republikës së Kosovës. Deklarata të tilla janë në kundërshtim me thirrjet dhe rekomandimet e publikuara në raporte vendore dhe ndërkombëtare ku kërkohet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe parimi i ndarjes së pushteteve”, ka vlerësuar IKD.

Të ngjashme