Sport
Rashkaj e kujton ndeshjen ndaj Haitit: Hyrja në fushë me fanellën e Kosovës, prej momenteve më të mira që kam përjetuar
Demokracia
12:58 | 05 Mars 2025

Share:

Sot shënohet 11-vjetori i ndeshjes historike mes Kosovës dhe Haitit, e zhvilluar më 5 mars 2014 në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Miqësorja, e cila përfundoi pa gola (0:0), pati një rëndësi të veçantë, pasi ishte e para që Kosova luajti nën patronatin e FIFA-s, duke i hapur rrugën ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.

E atë ditë për Gazetën Express e kujton kapiteni i Kosovës në atë ndeshje, Anel Rashkaj.

“Të them të drejtën, çdo moment ka qenë i veçantë atë ditë, por hyrja në fushë me fanellën e Kosovës para tifozëve tanë ka qenë një prej momenteve më të mira që kam përjetuar”.

Tutje, Rashkaj e veçoi udhëtimin drejt Mitrovicës para ndeshjes.

“E kisha veçuar udhëtimin për Mitrovicë, ku rrugët ishin të stërmbushura me njerëz dhe flamuj dhe shihej një gëzim i madh i të gjithve”.

Për vite me radhë, Kosova nuk mori pjesë në garat ndërkombëtare, por kjo përballje e rëndësishme shënoi një kthesë historike.

Vetëm dy vite më vonë, në maj të vitit 2016, Kosova u pranua zyrtarisht në UEFA dhe FIFA, duke e bërë realitet ëndrrën e shumë gjeneratave të futbollistëve kosovarë.

Që atëherë, futbolli kosovar ka njohur një zhvillim të madh, me kombëtaren që ka garuar në kualifikimet për Kampionatin Botëror dhe Europian, duke dëshmuar talentin dhe ambiciet e saj në arenën ndërkombëtare.

Miqësorja ndaj Haitit mbetet një moment kyç në historinë e sportit në Kosovë – një ndeshje që ndryshoi gjithçka dhe hapi një epokë të re për futbollin tonë!

Të ngjashme