Për të tetën herë radhazi ka dështuar përpjekja tjetër për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në sallë ishin 110 deputetë. Vetëm 54 vota kanë qenë për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, që mbetet emri i vetëm që Vetëvendosje dëshiron të jetë në krye të Kuvendit.
Për këtë situatë të krijuar, Naim Rashiti – njohës i zhvillimeve politike, tha se mos zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për të tetën herë me radhë është mungesë e maturisë politike dhe mungesë e përgjegjësisë institucionale.
“I gjithë vullneti i votuesve në ditën e zgjedhjeve është kthyer në një situatë të tillë, dhe tregon që liderët, përfshirë edhe fituesin e zgjedhjeve, nuk janë të gatshëm të ulen dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme, qoftë për kandidatin apo kandidaten për kryetar të Kuvendit, qoftë për ndarjen e pushtetit dhe krijimin e një shumice për të qeverisur”, tha Rashiti.
Ai theksoi se politika kosovare po tregon pak dëshirë e vullnet për të gjetur rrugë për të avancuar proceset.
“Tërësisht është papërgjegjësi ndaj mandatit të fituar dhe ndaj garës elektorale, për të cilën janë zotuar se do të krijojnë institucionet, do të bëjnë politika dhe do të avancojnë agjenda të ndryshme brenda institucioneve. Në një farë forme, mbetet në dorën e egove të personaliteteve, bartësve dhe përgjegjësve të subjekteve politike”, shtoi Rashiti.
Sipas tij, Kosova nuk ka sistem mazhoritar. Kosova ka dy aspekte kushtetuese: sistemin elektoral që është proporcional dhe demokracinë konsensuale, e cila përfshin subjektet parlamentare dhe komunitetet.
“E gjithë formula, qoftë e përfaqësimit në Kuvend, qoftë në ndërtimin e institucioneve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kërkojnë pjesëmarrje të të gjithë akterëve institucionalë e politikë në Kuvendin e Kosovës, përfshirë komunitetet në formimin e institucioneve. Si e tillë, bartësit apo fituesit të zgjedhjeve i bie primati për t’i formuar institucionet, konkretisht kryetarin e Kuvendit, por i bie edhe përgjegjësia për të gjetur mënyrën konsensuale”, theksoi Rashiti, në “Info Plus” në RTK.
Rashiti u shpreh se, nëse Vetëvendosja do të propozonte dy ose tre kandidatë të mundshëm, domosdo njëri prej tyre do të merrte votat e mjaftueshme.
“E rëndësishme është që të ketë dialog brenda Kuvendit, që të zgjidhet një figurë e cila i bën të gjithë deputetët të ndihen të përfaqësuar. Praktika ka qenë e mirë në Kuvend dhe nuk duhet të dëmtohet. Pastaj, procesi tjetër është proces kushtetues për formimin e qeverisë”, shtoi ai.
Sipas tij, historikisht, dy herë në të kaluarën dhe edhe kësaj here po bllokohet procesi në Kuvend për shkak të mungesës së numrave për të formuar qeverinë.
Rashiti shtoi se nuk mund të ketë as zgjedhje pa dialog dhe marrëveshje politike.
“E gjithë iniciativa, përgjegjësia kryesore primare bie mbi fituesin e zgjedhjeve, nuk do të ketë qeveri, krijim të institucioneve pa, qoftë marrëveshje politike për ndarje pushteti, qoftë koalicione të ndryshme dhe nuk do të ketë as zgjedhje pa dialog dhe marrëveshje politike. Kjo mund të zgjasë pa fund deri sa bartësi i kryesor Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj vendosin që të bëjnë veprime konform kushtetutës në dialog me subjektet parlamentare”, tha ai.