Ministri në detyrë, Nenad Rashiq ka akuzuar Policinë e Kosovës se përdori “forcë të papërshtatshme” gjatë incidentit në veri, derisa i ka kërkuar kolegut të tij në Qeverinë Kurti, ministrit Xhelal Sveçla, që të sigurohet që incidente të tilla mos të ndodhin më.
Ani se ky i fundit tha se Serbia po bën propagandë, dhe se nuk pati dhunë por vetëm kërkesë të zyrtarit policor që mos të provokohen qytetarët, Rashiq në një reagim të publikuar në faqen e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka pasur qëndrim më ndryshe.
“Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dënon incidentin e djeshëm në veri të Mitrovicë, gjatë së cilit dyshohet se zyrtarë të Policisë së Kosovës përdorën forcë të papërshtatshme ndaj një të diplomuari nga shkolla e mesme…
Ministri Rashiq ka folur me kolegun e tij, Xhelal Sveçla dhe i ka kërkuar që ‘ti ndërmarrë të gjitha masat që të sigurohet se raste të tilla nuk do të ndodhin më. Rashiq po ashtu ka njoftuar se do të dorëzojë një kërkese zyrtare te Inspektorati i Policisë së Kosovës të hënën për një hetim të rrethanave të këtij rasti…” – thuhet aty.
Theksojmë se autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim për një zyrtar të Policisë së Kosovës, pas incidentit që ndodhi të premten.
“REL” raporton se lajmi është bërë me dije nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq i cili citohet të ketë thënë:
“Polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.
Theksojmë se pak më herët, një reagim në lidhje me incidentin e ka bërë edhe ministri në detyrë, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se kërkesa e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët, u quajt “dhunë”.
Sveçla ka shtuar se kjo propagandë nuk do të ketë sukses.
“Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajne dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngulfatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta! Kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi” – u shpreh ai.