Raportuesi i Serbisë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilcik, ka thënë se me ardhjen në pushtet të kryeministrin Albin Kurti negociatat mes Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur dhe nuk kanë gjetur zgjidhje.
Bilcik vjen nga Sllovakia dhe është pjesë e Parlamentit Evropian që nga viti 2019.
“Mendoj se pritshmëritë nga të dyja palët ka qenë që ne t’i rikthehemi dialogut sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Bilcik për The Guardian..
Bilcik ka thënë se duhet kujdes i shtuar si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin.
“Fatkeqësisht, me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet [në Kosovë] negociatat me të vërtetë kanë ngecur dhe nuk kanë lëvizur në rrugën e gjetjes së një zgjidhjeje – dhe këtë po e thotë dikush që është shumë kritikues ndaj palës serbe”, ka shtuar ai.
Sa i përket sulmit të fundit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, Bilcik ka thënë se sulmet e tilla janë “absolutisht të papranueshme dhe kjo është një provë tjetër që tregon se vërtet gjërat mund të dalin jashtë kontrollit.
“Dhe është e rëndësishme që të ndodhë shtensionimi, që të ketë një hetim të plotë. Është një ‘karrotë’ e madhe në lojë – dhe ‘karota’ është anëtarësimi në BE. Dhe nëse dialogu nuk vazhdon, do të shohim më shumë konflikt, më shumë nacionalizëm, më shumë tërheqje nga bota”, ka thënë ai.
Parlamenti Evropian do të debatojë sot për gjendjen në Kosovë dhe Serbi.