Lajme
Raportohet se Egjipti e Katari kanë bërë propozim të ri për përfundimin e luftës në Gaza
Demokracia
08:36 | 22 Prill 2025

Share:

Një zyrtar i lartë palestinez i afërt me bisedimet për armëpushim mes Izraelit e Hamasit i ka thënë televizionit BBC se ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari kanë propozuar një formulë të re për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Sipas këtij zyrtari, në propozimin e ri parashihen një armëpushim që do të zgjaste mes pesë e shtatë vjetëve, lirimi i të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë që po mbahen në burgjet izraelite, përfundimi formal i luftës dhe tërheqja e plotë e trupave izraelite nga Gaza.

Një delegacion i lartë i Hamasit pritet të arrijë në Kajro të Egjiptit për konsultime, raporton televizioni BBC.

Armëpushimi i fundit u zhbë para një muaji, kur Izraeli i rinisi bombardimet në Gaza. Të dyja palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën se kanë dështuar që ta respektojnë paktin e armëpushimit.

Izraeli nuk e ka komentuar planin e ndërmjetësve nga Egjipti dhe Katari.

Në diskutimet në Kajro, Hamasi do të përfaqësohet nga kreu i këshillit politik, Mohammed Darwish, dhe kryenegociatori i grupit, Khalil al-Hayya.

Propozimi i ri vjen disa ditë pasi grupi palestinez refuzoi një propozim të paraqitur nga Izraeli, në të cilin përfshihej kërkesa që Hamasi të çarmatosej në këmbim të një armëpushimi 6-javor.

Të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ai nuk do t’i japë fund luftës në Gaza para se Hamasi të shkatërrohet dhe para se të gjitha pengjet izraelite të kthehen në shtëpi. Në anën tjetër, Hamasi ka kërkuar që Izraeli të zotohet për përfundimin e luftës para se pengjet të lirohen./Nacionale

Të ngjashme