Lajme
Raportimi i Lajçak në Twitter: Deklarata për Kurtin e zbehtë, për takimin me Vuçiqin shkruan fjalë të mëdha
Demokracia
08:08 | 03 Shkurt 2022

Share:

Ndryshe prej takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku pati të pranishëm edhe persona të tjerë, emisari evropian Mirsolav Lajçak ka diskutuar ndaras me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Madje bisedën me këtë të fundit e quajti shumë konstruktive dhe thelbësore.

Diplomati evropian, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i sotëm me Aleksandar Vuçiqin, derisa ka shpërndarë një foto në llogarinë e tij në Twitter, ku shihet bashkë me presidentin serb, përcjell Demokracia.com.

“Sapo përfundova një diskutim konstruktiv dhe thelbësor me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd për rrugën përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak.

Por, vlerësime të tilla, Lajçak nuk pati edhe për takimin me Albin Kurtin. Me këtë të fundit, ai tha se i diskutoi mënyrat e mira për ta çuar përpara dialogun me Serbinë.

“Në takimin tonë të përbashkët BE-SHBA me Kryeministrin e Kosovës @albinkurti, diskutuam mënyrat më të mira sesi të çojmë përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2022”, ka thënë Lajçak disa ditë më parë, kur u takua me Kurtin.


Sidoqoftë, Lajçak nuk u pa me Kurtin ndaras siç bëri me Vuçiqin. Përveç emisarit të BE-së, në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Kurti në anën tjetër ishte i shoqëruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Lajçak e Escobar nuk e takuan dy herë Kurtin gjatë vizitës së tyre treditore në Kosovë, ashtu siç bënë me presidenten Vjosa Osmani.

Escobar i shkon befasisht në zyrë Osmanit, Kurti injorohet

Temë kryesore e takimeve që ndodhen mes liderëve kosovarë dhe diplomatëve të lartë perëndimorë ka qenë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Këta të fundit, kanë kërkuar që të implementohet marrëveshja për këtë çështje, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti para se të vinte në pushtet dhe para diskutimeve me emisarët e lartë kishte thënë se nuk do ta respektojë asnjëherë këtë marrëveshje.

Megjithatë, pas takimeve, ai ka deklaruar se Kosova nuk i frikësohet Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./Demokracia.com/

Të ngjashme