Lajme
Raporti për komunat dhe MSh-në: Nga 27 tenderë, për 13 prej tyre ka pasur ankesa në OShP
Demokracia
14:49 | 21 Nëntor 2023

Share:

Në prezantimin e “Raportit të Monitorimit të Prokurimit”, në të cilin janë të përfshirë 27 tenderë, për 13 prej tyre ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OshP). 

Ndërkaq, nga këta 13, në 8 prej tyre kishte dy e më shumë ankesa. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka pasur vështirësi në mbylljen e dy tenderëve.

Kështu u tha gjatë prezantimit të këtij monitorimi të bërë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Demokraci Plus, në kuadër të projektit “Mbështetja e OJQ-ve për të monitoruar aktivitetet e prokurimit në komuna dhe MSh-së”.

Në këtë raport thuhet se “një prej shkeljeve më të shpeshta që është evidentuar gjatë këtij monitorimi ka qenë vendosja e kritereve diskriminuese, kritereve shumë të larta për projektin apo emërimin e produkteve”.

Kryetarja e OShP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani tha se operatorët ekonomikë kanë të drejtë t’i drejtohen OShP-së në dy faza, në atë për kritere dhe për vlerësim të ofertave.

Sa i përket fazës së kritereve, ajo shtoi se shpesh ndodhë që të aprovohen pjesërisht.

Tutje, Gradinaj-Mexhuani tha se sfidë për këtë institucion mbetet mungesa e anëtarëve të bordit, derisa shtoi se vitin e kaluar kanë qenë 820 ankesa për shqyrtim, ndërsa këtë vit, deri më tani kanë marrë 940 ankesa me vajtje ardhje të bordit.

“Operatorët ekonomikë kanë të drejtë t’i drejtohen Organit Shqyrtues të Prokurimit në dy faza. Në fazën për kritere dhe në fazën për vlerësim të ofertave. Sfida kryesore është kur operatorët ekonomikë hasin në ndonjë shkelje nga ana e autoritetit kontraktues, i drejtohen fillimisht autoritetit kontraktues në mënyrë që të gjejnë zgjidhjen e duhur të problemeve të tyre… Sa i përket fazës së kritereve shpesh ndodh që të aprovohen pjesërisht. Por, kemi edhe ato raste kur na drejtohen neve si institucion për zgjidhjen e problemeve të tjera të cilat nuk i marrin si të mirëqena… Sfidë tjetër ka qenë kërkesa për shqyrtim edhe në ato raste kur refuzohet nga ana e AK-së refuzohet pa bazë, pa fakt, pa argument… OSHP-ja vazhdon me pas sfidë, mungesën e anëtarëve të bordit. Përderisa vitin e kaluar kemi pasur 820 ankesa tërë vitin, deri tani kemi 940 ankesa me vajtje ardhje të anëtarëve të bordit”, tha Gradinaj-Mexhuani.

E prezantimin e këtij monitorimi e bëri redaktori i BIRN-it, Visar Prebeza. Si më shqetësues, ai e vlerësoi çështjen e hartimit të specifikacioneve teknike.

Ai tha se “nga 27 tenderë të monitoruar, vetëm 11 raste AK-të kanë qenë në gjendje të tregojnë emrat dhe pozitat e personave apo emrin e kompanisë që i kanë hartuar specifikacionet teknike të një tenderi”.

Gjatë këtij prezantimi u tha se 27 tenderë të monitoruar në 15 prej tyre ka pasur korrigjime të gabimeve.

Prebeza potencoi se 8 nga këta 27 tenderë kanë qenë të pa planifikuar.

“Nga 27 tenderë, në 15 tenderë ka pasur korrigjime të gabimeve… Një çështje tjetër që e kemi parë është që tenderët e pa planifikuar, nëse e shohim si përqindje nuk është shumë e madhe… Shkurtimi i afateve për pranim të tenderëve, edhe kjo është një çështje të cilën e lejon ligji, për shkak se ne e dimë që ka mundësi, që ka një emergjencë për furnizim me diçka dhe duhet shkurtuar afatet, mirëpo kemi pasur raste ku afatet janë shkurtuar pa ndonjë arsye bindëse… Një çështje prej më shqetësuese në këtë raport është çështja e hartimit të specifikacioneve teknike… Prej 27 tenderëve vetëm në 11 raste kanë qenë në gjendje të na tregojë kush i ka hartuar specifikacionet teknike, përkundër insistimit…

Kemi parë jashtëzakonisht shumë raste kur ka defekte në projektim, kur projekti është bërë prej Google Maps… Sa i përket ankimimit, ne e kemi parë prapë se çështja e ankimimit është problematike, sepse 48 për qind të tenderëve që i kemi parë kanë shkuar në ankesa, prej këtyre ankesave, 13 tenderë që ka pasur ankesa, ka pasur më shumë se një ankesë. Pra 32 ankesa janë dorëzuar për këta 13 tenderë”, tha Prebeza.

Ndër të tjera, Prebeza potencoi se gjatë këtij monitorimi kanë përfshirë tre tenderë të Ministrisë së Shëndetësisë, derisa shtoi se dy prej tyre kanë pasur vështirësi në përmbylljen e tyre.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë i kemi shikuar tre tenderë, janë dy tenderë që janë me teknologji informative, që është ‘Mirëmbajtja e 70 për qind të sistemit informativ shëndetësor’…Të dy tenderët e kanë të njëjtin problem, të dy tenderët kanë shkuar në OSHP, të dy kanë dilema të mëdha se cila të shkojë… Sa i përket tenderit me furnizim, ka qenë tender për furnizimin me barna, është një tender jashtëzakonisht i madh…”, potencoi Prebeza.

Aty u tha po ashtu se Ministria e Shëndetësisë duhet të shmangë tenderët me afat të shkurtuar, në raste kur nuk ka ndonjë urgjencë në tender.

Në rekomandime u tha se Autoritetet Kontraktuese duhet t’i anulojnë tenderët, dosjet e të cilave “pësojnë disa korrigjime të gabimeve që e ndryshojnë në substancë gjithë dosjen e tenderit”.

Ndryshe në Raportin e Monitorimit të Prokurimit thuhet se nga 13 rastet kur Gjykata Komerciale kishte gjetur shkelje ligjore, 12 prej tyre ishin në procesin e vlerësimit të ofertave. Ndërkaq, vetë, në njërin nga vendimet, OShP-ja kishte konstatuar se janë bërë shkelje ligjore gjatë fazës së para tenderimit duke e detyruar AK që të ndryshojmë Dosjen e Tenderit.

Të ngjashme