Lajme
Raporti i PE-së për Kosovën vlerësohet real nga shoqëria civile
Demokracia
20:06 | 24 Shkurt 2021

Share:

Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Europian ka miratuar të martën raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel.

Raporti ka përfshirë liberalizimin e vizave, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, reformat në sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsion.

Po ashtu Parlamenti Europian (PE), u ka bërë thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Europian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Lexo edhe:

Parlamenti Europian voton raportin për Kosovën

Ky raport i PE-së po shihet si real nga Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini.

Emini për Demokracia.com ka thënë se ky raport mbi të gjitha tregon dhe vullnetin politik brenda parlamentit që ta shtyjë Kosovën përpara.

Sipas Eminit, ajo që vërehet më shumë është se PE-ja e ka vënë në pah çështjen e dialogut, e cila siç thotë Emini është shumë me rëndësi.

“Raporti është real, tregon mbështetjen në aspektet në të cilat Kosova duhet me pas mbështetje prej BE-së. I liston problemet që ndërlidhen me sundimin e ligjit që është fenomen në krejt Ballkanin Perëndimor, në anën tjetër e thekson edhe çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që është shumë me rëndësi. Pra është një frymë goxha pro dialog prej partnerëve tanë strategjik”, tha Emini për Demokracia.com.

Emini më tej tregoi se raportuesit për Kosovën janë akuzuar në Parlamentin Europian se janë shumë pro Kosovës.

“Në parlament edhe raportuesit për Kosovën janë akuzuar që janë shumë pro Kosovë, që nuk i përmendin aspektet negative por vetëm ato pozitive, kështu ka qenë vazhdimisht diskutimi. Duket një raport real i cili mbi të gjitha tregon dhe vullnetin politik brenda parlamentit me e shty Kosovën përpara”, tha Emini.

Sa i përket liberalizimit të vizave dhe qasjes së Francës dhe Holandës karshi këtij procesi, Emini tregoni se pavarësisht se çfarë thotë Parlamenti Europian, problem mbetet Franca.

Sipas saj, çështja e liberalizimit të vizave as nuk mund të hyjë në agjendë pa miratimin e Francës dhe Gjermanisë.

“Kështu që parlamentin, ne (Kosova) gjithmonë e kemi pas në mbështetje, edhe komisionin e ri, mirëpo problemi ende qëndron tek bindja sidomos e Francës edhe e Holandës. Kjo e fundit mundet edhe të anashkalohet. Do të thotë kështu ka vepruar edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor sepse edhe në numër është edhe më e vogël, mirëpo pa miratimin e Gjermanisë edhe Francës nuk mundet me hy as në agjendë dhe nuk vjen as deri te faza e votimit dhe shqyrtimit të këtij procesi. Pa marrë parasysh çfarë ka thënë parlamenti problemi mbetet te Franca”, tha Emini.

Por Emini thotë se pavarësisht se tash e disa vite në lidhje me liberalizimin e vizave paraqiten dhe raportohen të njëjtat gjëra, ky proces dhe votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është komplet politik dhe varet nga vullneti i vendeve anëtare, pasi që tashmë siç thotë edhe ajo, Kosova ka plotësuar kriteret që i janë kërkuar.

“Parlamenti vazhdimisht e ka përçuar të njëjtin mesazh edhe kjo qëndron që para dy-tre viteve kur e kanë proceduar këtë proces në Komisionin për Punë të Jashtme e mandej edhe në parlament, kështu që kjo më është dukur më shumë si lëvizje simbolike, që më tregu hala përkushtim prej anës së BE-së në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën, ama është shumë e paqartë se si kjo ka me u përkthyer në vendime politike prej anës së BE-së sepse nëse e shohim në mënyrë se si funksionojnë institucionet, parlamenti është shumë konstruktiv mandej gjërat që kanë me komplikuar pak nivelin e Komisionit  në Këshill do të thotë janë komplet politike, ku vendet kanë edhe të drejtë të vetos”, theksoi Emini.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Demokracia.com se, ky raport ka paraqitur të gjitha pritshmëritë që kanë qenë siç është mungesa e zbatimit të agjendës së reformave europiane, lufta kundër korrupsionit apo edhe thirrja në fushën e sundimit të ligjit.

“Sa e kemi parë në votimin e këtij raporti, duhet theksuar se raporti për Kosovën është votuar edhe në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian e më pas në organet e tjera të Parlamentit Europian për t’u votuar. Ka pasur debate në mes të deputetëve të ndryshëm në këtë komision, ku mbi çështjet tjera të asaj kërkesës që pesë shtetet jo njohëse ta njohin Kosovën dhe çështja tjetër e liberalizimit të vizave. Ne e dimë që në vazhdimësi Parlamenti Europian ka nxjerrë rezoluta të cilat kanë qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën apo edhe një përfshirje e pesë shteteve jo njohëse që ta njohin Kosovën”, tha Krasniqi.

Sipas saj, në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, tashmë dihet që deputetët francezë kanë qenë kundër kësaj çështjeje për Kosovën, por edhe për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

“Ne e dimë që në Francë ka deputetë të cilët janë të ekstremit të djathtë, në këtë rast kanë votuar apo kanë ngritur zërin e tyre kundër liberalizimit të vizave edhe për kosovarët, dhe ne e kemi pa në vazhdimësi që ka një skepticizëm nga ato grupe të cilat janë ekstreme qoftë për shembull edhe në vende tjera qoftë për liberalizim të vizave për Kosovën por edhe për pakon e zgjerimit në përgjithësi për Ballkanin Perëndimor. Pra mund them se është diçka e pritshme por kjo nuk do të thotë që është domosdoshmërisht qëndrimi zyrtar i Francës”, tha Krasniqi.

Krasniqi më tej tha se shpreson që Franca të lëviz nga pozicioni i saj së bashku me Holandën dhe se raporti i Kosovës më në fund të marrë një mbështetje të merituar pasi të bëhet Komisioni Europian.

Në anan tjetër, Ehat Mifraraj, drejtor i Instituti të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë për Demokracia.com se ky raport e ka konfirmuar atë që IKD-ja dhe shoqëria civile e ka kërkuar në vazhdimësi, siç tha ai pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

“Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian është një ndër dokumentet e miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë që konfirmojnë atë që IKD dhe shoqëria civile në vazhdimësi e ka vërtetuar përmes raporteve të publikuara dhe kërkesave konstante për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë, me theks të veçantë pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, integritetin institucional dhe personal, profesionalizmin, efikasitetin, etj”, tha Miftaraj.

Sipas tij, IKD-ja ka propozuar që sistemi i drejtësisë të rregullohet sipas vettingut.

“IKD si masë efikase dhe të domosdoshme për të adresuar çështjet e lartpërmendura ka propozuar vettingun në sistem të drejtësisë dhe sigurisë, për të cilin kërkohet vullnet i hekurtë politik, për të udhëhequr dhe zbatuar një proces të tillë.  I cili proces nëse do të zbatohej do duhet të merrte së paku katër vite kohe”, tha Miftaraj.

Më tej Miftaraj tregoi se vetëm institucionet e pavarura dhe individët që i nënshtrohet ligjit dhe jopolitikës mund të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin

“Vetëm institucione të pavarura nga politika dhe grupet e interesit, dhe individë me integritet që i nënshtrohen vetëm ligjit dhe jo politikës mund të jenë garancë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha Miftaraj.

Theksojmë se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes drejt vendeve europiane pa viza. /Demokracia.com/

Të ngjashme