Lajme
Raporti i Parlamentit Evropian për Serbinë: Të hetohet në mënyrë të pavarur pasivizimi i adresave të shqiptarëve
Demokracia
18:36 | 13 Maj 2023

Share:

Parlamenti Evropian në miratimin e raport progresit për Serbinë për vitin 2022, në një nga pikat e tij bënë thirrje që të hetohen akuzat për pasivizimin e adresave të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

“Përsërit thirrjet e saj për një hetim të pavarur dhe të plotë mbi akuzat për keqpërdorim të ligjit për vendbanimin e qytetarëve dhe ‘pasivizimin’ e adresave të banimit të qytetarëve të etnisë shqiptare në Serbinë qendrore dhe jugore”, thuhet në raportin e miratuar nga Parlamenti Evropian për Serbinë.

Ndërkaq, po aty i bëhet thirrje të gjithë autoriteteve serbe “që të pushojnë çdo lloj diskriminimi praktikat dhe targetimi”.

Ndryshe, edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022 në Serbi i publikuar me 20 mars, kishte vënë në pah diskriminimin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi dhe po ashtu kishjte përmendur pasivizimin e adresave.

“Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë disproporcionale. Udhëheqësit shqiptarë etnikë në Serbi pretenduan se qeveria i nënshtronte në mënyrë disproporcionale shqiptarët etnikë ndaj “pasivizimit” për të zvogëluar numrin zyrtar të shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi”, thuhej në raport.

Tutje, duke iu referuar raportit të vitit 2021 nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, bëhej me dije se zbatimi “joproporcional i këtij ligji nga qeveria që synonte shqiptarët – përbënte ‘spastrimin etnik me mjete administrative’”.

“Raporti vuri në dukje se individët e pasivizuar nuk mund të rinovojnë kartën e identitetit ose pasaportën e tyre të skaduar, pa të cilën ata nuk ishin në gjendje të regjistronin një makinë, të kishin akses në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale (përfshirë pensionet), të blinin ose shesin prona ose të votonin në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme”.

Ndërkaq, aty ishte përmendur se shumë persona që janë përballur me këtë fenomen, kanë raportuar se “për pasivizimin e tyre dhe shumica mësojnë se janë pasivizuar shumë kohë pas faktit kur tentonin të rinovonin dokumentet e tyre të identitetit”./Albania Post

Të ngjashme