Lajme
Raporti i institutit holandez: Dështimi i BE-së në Kosovë dhe korrupsioni brenda misionit të EULEX-it
Demokracia
19:21 | 09 Shkurt 2022

Share:

Instituti holandez, “Clingendael” dhe rrjeti Mendo për Evropën (TEN) kanë publikuar një raport rreth politikës së Bashkimit Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në raportin që u publikua gjatë së mërkurës, këto organizata kanë pyetur nëse BE-ja ndihmoi shfaqjen e të ashtuquajturës “stabilitokraci” në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht përpjekjeve për të “përqafuar” gjashtë vendet e rajonit, përcjell Demokracia.com.

“Përmes politikës së saj të zgjerimit, BE-ja kërkon të nxisë demokratizimin në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, të quajtura edhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BB6). Megjithë përpjekjet e viteve, politikat e BE-së nuk kanë sjellë ndryshimin e pritshëm”, thuhet në raportin e dy organizatave në një artikull të titulluar “BE si një promovuese e “Stabilitokracisë” në Ballkanin Perëndimor?”

Në këtë raport, theks i veçantë i është vendosur misionit të EULEX-it në Kosovë, e ku thuhet se ka pasur dobësi të shumta, përcjell Demokracia.com.

Artikulli analizon dështimin e BE-së për të sjellë rezultate të prekshme, për të përshpejtuar rrugën e anëtarësimit të Kosovës dhe për t’i liberalizuar vizat për qytetarët e saj.

“Nevoja për të adresuar urgjentisht këto mangësi është e një rëndësie të madhe duke marrë parasysh ndikimin e BE-së në Kosovë në sferën politike, gjyqësore, ekonomike dhe të sigurisë. Konkretisht, roli i saj karakterizohet nga një përfshirje e dyfishtë në vend: ndërtimi i shtetit përmes misionit të tij më të madh dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) –Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) – dhe procesi i integrimit evropian”, thuhet tutje në këtë raport.

Në raport përmenden edhe provat që u zbuluan në vitin 2014, ku dëshmohej korrupsioni që kryhej brenda misionit të EULEX-it në Kosovë.

“Raporti i pavarur i BE-së për EULEX kishte vënë në dukje disa dobësi në menaxhimin e vet, megjithatë hedh poshtë akuzën kryesore të vetë misionit për mbulimin e rasteve të korrupsionit. Nga njëra anë, raporti konfirmon gjithëpraninë e korrupsionit në Kosovë”, është një prej pikave që përmendet në artikullin e këtyre organizatave.

Në këtë raport, përmenden edhe dështime të BE-së në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përcjell Demokracia.com.

Kështu, organizata “Clingendael” dhe rrjeti Mendo për Evropën (TEN) kanë përfshirë rekomandime dhe reflektime kritike se si të përmirësohet roli i BE-së në rajon.

Rekomandimet përfshijnë fokusimin më shumë në reagimet për qeveritë e këtij rajoni, raportimin më të mirë për gjendjen e progresit, përmirësimin e komunikimit me qytetarët dhe duke specifikuar standardet të cilat shoqërohen me afate kohore më të prekshme./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024