Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2021 përmenden edhe zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në shkurt, ku theksohet fakti se pati presion dhe frikësim brenda komuniteteve të pakicave etnike për t’i mbështetur partitë e lidhura me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe.
“Vendi i mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në shkurt. Vëzhgues ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësues të grupeve të pakicave etnike treguan për presion dhe frikësim brenda komuniteteve të pakicave etnike për t’i mbështetur partitë e lidhura me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe. Disa serbë të Kosovës gjithashtu raportuan se u është bërë presion për të mos mbështetur parti të tjera përveç Listës Serbe. Sipas vëzhguesve të Institutit Kombëtar Demokratik, politikanët e Listës Serbe nxitën krijimin e partive të reja politike rome dhe boshnjake dhe i inkurajuan serbët e Kosovës që të votonin për këto parti të reja në përpjekje për ta rritur ndikimin e tyre në Kuvend duke i fituar vendet e rezervuara për grupet e pakicave”, thuhet në raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2021, raporton Demokracia.com.
Po ashtu, në këtë raport përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për anulimin e shumicës së votave të hedhura për partinë e Iniciativës Rome dhe partinë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq, të lidhura me Listën Serbe, duke pohuar se votat e tyre nuk erdhën nga komunitetet që synonin t’i përfaqësonin vendet e garantuara.
“Në mars, Gjykata Supreme anuloi shumicën e votave të hedhura për partinë e Iniciativës Rome dhe partinë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq, të lidhura me Listën Serbe, duke pohuar se votat e tyre nuk erdhën nga komunitetet që synonin t’i përfaqësonin vendet e garantuara. Vendimi i Gjykatës Supreme bëri që Hoxhiq ta humbasë vendin e saj, i cili i shkoi partisë së
dytë boshnjake, Bashkimi Social Demokrat. Iniciativa Rome gjithashtu humbi një nga dy vendet që fillimisht dukej se i fitoi, dhe vendi i shkoi një partie tjetër të komunitetit rom”, thuhet në raport.
Në pjesën e trajtimit të korrupsionit dhe mungesës së transparencës në qeveri, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, thotë se në vitin 2021 edhe pse Ligji parashikon dënime penale për korrupsion ndaj zyrtarëve, Qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive.
“Pati raportime për korrupsion në Qeveri. Zyrtarët nganjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit i kontribuuan këtij problemi. Rastet e korrupsionit shpesh i nënshtroheshin apelimit të përsëritur dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte parashkrimin e rasteve pa i gjykuar ato”, thuhet në raport. /Demokracia.com/