Lajme
Raporti i DASH-it me kritika për Kosovën
Demokracia
20:19 | 26 Qershor 2024

Share:

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit sa i përket luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Raporti i DASH-it thekson mosplotësim as të standardeve minimale për eleminim të këtij fenomeni. Njohës të drejtësisë kërkojnë adresim të këtyre gjetjeve.

Vërejtje dhe kritika për Kosovën janë evidentuar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e njerëzve.

Ky raport ka konstatuar mosplotësim të standardeve minimale për eleminim të trafikimit me qenie njerëzore nga Qeveria e Kosovës.

Në raportin për vitin 2023 thuhet se Qeveria hetoi dhe ndoqi penalisht më pak të dyshuar dhe identifikoi më pak viktima. Përderisa, gjyqtarët dhanë dënime më të forta, ato prapë ishin nën dënimin minimal të parashikuar nga ligji i trafikimit.

“Nuk mund të ndikohet tek prokuroria ose gjykata të merr një vendim në qoftë se ka fakte të mjaftueshme që të provohot se dikush po përdoret, po keqpërdoret për qëllime të abuzimit seksual, e të tjera. Kosova nuk ka kapacitet që të bëjë më tepër. Kosova pa ndihmën e të tjerëve e ka të pamundur ta luftojë këtë fenomen që është në rritje”, ka thënë Behxhet Shala nga KMDLNJ.

Në anën tjetër, juristët konsiderojnë se Kosova duhet të gjejë alternativa për t’i adresuar çështjet problematike të theksuara në raport.

“Qeveria e Kosovës brenda mundësive që i ka, t’i ngrisë kapacitetet në luftimin e kësaj dukurie, qoftë me përmirësimin e infrastrukturës ligjore, qoftë me forcimin e mekanizmave ekzistues. Por duhet të bëjë çmos që një dukuri kaq e keqe dhe e rrezikshme për vendin, e që ka edhe konotacion rajonal të frenohet dhe të ndalohet me mjete shtetërore”, shprehet avokati Arbër Jashari.

Raporti i DASh-it, pati edhe rekomandime.

“Të hetohen dhe ndiqen me forcë krimet e trafikimit dhe kërkoni dënime adekuate për trafikantët e dënuar, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë bashkëpunëtorë, të cilat duhet të përfshihen në dënime të konsiderueshme burgimi; Të ofrohen në vazhdimësi trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe forcat e rendit mbi hetimet dhe ndjekjet penale të trafikimit; Të rriten burimet për strehimoret e drejtuara nga OJQ-të për të ofruar ndihmë për viktimat; Të forcohen masat e konfidencialitetit dhe privatësisë së viktimës dhe të garantohet mosshpërndarja e informacionit privat”, thuhet në raport.

Sipas dokumentit, gjatë vitit 2023 u identifikuan 17 viktima, ku 6 prej tyre u shfrytëzuan për trafikim seksual, 6 për trafikim me motive punësimi dhe 5 në forma të paspecifikuara të trafikimit.

Të ngjashme