Lajme
Raporti evropian: Shqipëria më e korruptuara në rajon
Demokracia
10:15 | 08 Dhjetor 2022

Share:

Shqipëria duket të jetë vendi më i prekur nga korrupsioni administrativ më i lartë në rajon me 57% të qytetarëve që u kërkohet ryshfet të paktën herë pas here dhe 47% marrin pjesë realisht në transaksione korrupsioni, është ky përfundimi i raportit “Monitorimi i sistemit të korrupsionit 2021”, i publikuar së fundmi nga SELDI, Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim.

Sipas raportit, Shqipëria ka presionin dhe përfshirjen më të lartë për korrupsion në Ballkanin Perëndimor për të gjithë treguesit, si për kërkimin e ryshfetit, dhënien e tij, pranueshmërinë e korrupsionit, rënien pre ndaj tij dhe deri në kapjen e shtetit nga bizneset.

Serbia mbetet vendi me shkallën më të ulët të presionit të korrupsionit në rajon, ndërsa, Kosova ka shkallë më të ulët të përfshirjes aktuale në aktivitete korrupsioni me 20% të qytetarëve që kanë paguar ryshfet të paktën në disa raste krahasuar me 23% në Serbi.

Sipas raportit, përfshirja e drejtpërdrejtë në transaksionet e korrupsionit shoqërohet me mbizotërimin e qëndrimeve specifike ndaj korrupsionit dhe sjelljeve korruptive dhe nga perceptimi se korrupsioni është i përhapur në shoqëri.

Një tjetër tregues, ai i pranueshmërisë së korrupsionit pasqyron besimin e qytetarëve se disa praktika korruptive nga zyrtarët publikë janë normale dhe mund të tolerohen.

Edhe kapja e shtetit është mbizotëruese në Ballkanin Perëndimor, ku sërish Shqipëria mban rekordin, si një vend ku interesat private ndikojnë ndjeshëm në proceset vendimmarrëse të një shteti në avantazhin e tyre.

Treguesin e presionit për kapjen e shtetit nga bizneset, i cili përqendrohet në presionin e monopolizimit në nivel kombëtar, sektorial ose institucional, Shqipëria e ka 45, më e larta në rajon, së bashku me Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa, për indikatorin tjetër, mundësuesit e kapjes së shtetit, që përfshijnë faktorë institucionalë dhe mjedisorë në nivel kombëtar, arrin në 50, gati dy herë më i lartë sesa vendi i dytë pas Shqipërisë, që është Kosova.

Kapja e shtetit në rajon është një mekanizëm përmes të cilit hartimi, miratimi dhe zbatimi i rregullave dhe rregulloreve qeveritare në disa fusha të rëndësishme të funksionimit të qeverisë shtrembërohet në favor të një numri të vogël përfituesish në kurriz të shoqërisë dhe biznesit në përgjithësi.

Raporti shpreh shqetësimin se pavarësisht se kapja e shtetit është e lartë nuk bëhet mjaftueshëm për ta luftuar atë – asnjë nga strategjitë antikorrupsion të miratuara nga vendet e rajonit nuk e përmend atë, shkruan Oranews

Fakti që kapja e shtetit mungon në axhendën antikorrupsion tregon se “masat” që përbëjnë atë axhendë janë kryesisht çështje administrative, të cilat nuk mund të ndikojnë në shkaqet më të thella që pengojnë progresin dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë demokratike.

Të ngjashme