Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një deklaratë për Demokracia.com ka thënë se qytetarët në Kosovë janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale, prandaj duhet të lejohen të tërheqin një pjesë të mjeteve nga Trusti Pensional i Kosovës.
“Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë, ka shtyrë shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shpesh me mbijetesën ekonomike. Prandaj e konsideroj si hap të parë urgjent, aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional”, ka thënë Haradinaj për Demokracia.com.
Sipas tij, situata është e jashtëzakonshme, prandaj edhe vendimet duhet të jenë të jashtëzakonshme.
“Natyrisht krahas kësaj mase, qeveria duhet të mendoj edhe për masa të tjera, në këtë kohë vështirë të përballueshme për qytetarët”, ka theksuar Haradinaj. /Demokracia.com/