Sport
Ramaj krenar me lëvizjen tek Ajaxi, premton shumë
Demokracia
16:23 | 03 Gusht 2023

Share:

Portieri Diant Ramaj ka thënë se ndihet krenar që do të jetë pjesë e gjigantit nga Holanda, Ajax.

Ramaj të enjten u prezantua tek Ajaxi, ekip me të cilin firmosi kontratë pesëvjeçare. Ai iu bashkua Ajaxit nga Eintracht Frankfurti, ekip që nga shitja e tij përfitoi 8 milionë euro.

Në intervistën e tij të parë si lojtar i Ajaxit, Ramaj ka zbuluar synimet e tij që i ka me fanellën e ekipit holandez.

“Kalimi te Ajaxi do të thotë shumë për mua, pasi kam bërë një hap shumë të madh në karrierë. Transferimi im këtu, do të thotë se Ajaxi ka besim shumë të madh nëmua dhe për këtë ndihem krenar”, është shprehur Ramaj, i cili tha se nuk mund të besonte se ishte kontaktuar nga Ajaxi.

“Në fillim nuk e dija nëse është ëndërr apo realitet. Por, pas kontaktit të parë, gjërat shkuan shumë shpejt dhe jam i lumtur që gjithçka përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tani jam pjesë e Ajaxit”.

Ramaj ka thënë se ndihet i veçantë që do të luajë për Ajaxin, ndërsa ka thënë se krahas zhvillimit të mëtejmë si portier, ka dëshirë që në edicionin e ri të luftojë për titullin e kampionit të Holandës.

“Ajaxi është një klub i madh dhe do të jap gjithçka nga vetja, pastaj trajnerit i takon të vendos për vendin e titullarit. Synimi im personal është të zhvillohem edhe më shumë, ndërsa me ekipin të kem paraqitje të mira dhe të luftojmë për kreun e tabelës”, shtoi Ramaj.

Tek Ajaxi e kanë vlerësuar shumë portierin 21-vjeçarin, duke insistuar se Ramaj ishte njëri prej tre portierëve më të mirë në Gjermani pas atyre me përvojë.

Të ngjashme