Sport
Ramadani: Nuk kam dhënë dorëheqje, por e ardhmja ime te Gjilani vendoset në fund të javës
Demokracia
15:48 | 20 Dhjetor 2022

Share:

E ardhmja e trajnerit të mirënjohur Zekirija Ramadani në postin e shefit të shtabit teknik te Gjilani do të vendoset deri në fund të kësaj jave, raporton Demokracia.com.

Në mediat kosovare është raportuar të martën se Ramadani ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit te “kuqebardhët”, megjithatë ai në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se ajo nuk qëndron dhe se e ardhmja e tij do të vendoset deri në fund të kësaj jave.

Trajneri që ka fituar tituj me disa skuadra tjera kosovare, ka pohuar se nëse në klub nuk zgjidhet çështja e udhëheqësisë së re, atëherë ai do të ndjek rrugët ligjore për të shkëputur kontratën e cila i skadon në vitin 2024.

“Nuk kam dhënë dorëheqje ende. Por, nëse nuk rregullohet puna e klubit për president apo sponsor të ri, atëherë ne do ndjekim rrugën ligjore për të shkëputur kontratën. Nga klubi na kanë thënë që deri në fund të javës gjithçka do të jetë e qartë”, tha për Demokracia.com trajneri Zekirija Ramadani.

Gjilani po kalon nëpër një krizë tash e një kohë pas dorëheqjes së kryesisë me në krye presidentin Florim Zuka.

Futbollistët dhe stafi i Gjilanit thuhet se nuk kanë marrë paga prej muajsh./Demokracia.com/

Të ngjashme