Sport
Ramadani: Do japim maksimumin në Suharekë, po analizojmë pikat forta dhe të dobëta të Ballkanit
Demokracia
13:28 | 03 Mars 2022

Share:

Ballkani dhe Llapi e zhvillojnë kryendeshjen e javës së 22-të në elitën e futbollit kosovar këtë fundjavë.

Fitorja në këtë sfidë do të thoshte shumë për dy skuadrat që po pretendojnë titullin e më të mirit në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Demokracia.com.

Ballkani është lider i tabelës me 45 pikë, gjashtë më shumë se Llapi që pozicionohet në vendin e katërt, por që është në hap për titull bashkë me dy rivalët e Anamoravës, Dritën (41) e Gjilanin (43).

Arbnor Ramadani, futbollisti i pandalshëm i Llapit është treguar i matur përpara kësaj sfide jo të lehtë për të dhe bashkëlojtarët e tij.

Pretendentët për titull masin forcat në Suharekë, Ballkani dhe Llapi kanë gati “artilerinë”

Mesfushori gjilanas ka thënë se ata po përgatiten për këtë takim, ndërsa është shprehur optimist se do dalin të pamposhtur nga Suhareka.

“Jemi duke u përgatitur maksimalisht. Siç na analizojnë ekipet tjera neve, jemi duke i analizuar edhe ne pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Pritshmërit i kemi të mëdha. Duke pasur parasysh ecurinë që kemi në ndeshjet e fundit besojë shumë në rezultat pozitiv”, u shpreh futbollisti i Llapit, Arbnor Ramadani të enjten për Demokracia.com duke shtuar:

“Duke pasur parasysh ecurinë e dy skuadrave dhe sikurse për ne ashtu edhe për ata do jetë ndeshje shumë e fortë. Ne do futemi ta japim maksimumin pastaj çfarë do sjell ndeshja mbetet të shihet. Do luftojmë deri në pikën e fundit për rezultat pozitiv”, nënvizoi për fund Ramadani.

Ballafaqimi mes Ballkanit dhe Llapit luhet të dielën me fillim nga ora 13:30. /Demokracia.com/

Të ngjashme