Prishtina ka barazuar 1-1 me Gjilanin në ndeshjen e javës së 13-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.
“Bardhekaltrit” pavarësisht se ishin të parët në avantazh, madje edhe me një lojtar më shumë në fushë nga minuta e 64-të nuk arritën të ruajnë rezultatin për t’i arkëtuar pikët e plota, shkruan Demokracia.com.
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka thënë pas ndeshjes se ky barazim është sikurse humbje për skuadrën kampione në fuqi.
“Dy pikë të humbuara. Ishim në avantazh, kishim një futbollist më tepër dhe çfarëdo që themi, nuk e arsyeton. Ky rezultat është i barabartë me humbje. Kishim epërsinë numerike dhe u ndëshkuam. Kemi mundur të evitojmë penalltinë”.
“Përgjegjësinë maksimale e marr unë, pasi ndoshta nuk po arrij të motivoj ekipin më shumë. Duhet të luajmë me përgjegjësi, me karakter, me personalitet, pasi nuk jemi aty ku duhet”.
“Duke marrë parasysh ndeshjet që kanë ngelur, jemi në objektiv pasi nuk është diferenca e madhe me pozitën e parë”, tha Ramadani për Art Sport. /Demokracia.com