Lajme
Ramabaja akuzon përkrahësit e VV-së që po punojnë në interes të Serbisë
Demokracia
22:31 | 11 Gusht 2022

Share:

Analisti pro Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, duke folur për lejimin e shamisë për vajzat myslimane në shkolla, ka thënë se kjo është agjendë e Serbisë.

Ramabaja e ka cilësuar një tejkalim të kompetencave nga bashkësia islame në Kosovë, që sipas tij po kalon në agjenda politike.

Në këtë mënyrë, ai e ka sulmuar edhe Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes dhe aktivistët e saj të cilët po kërkojnë shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla.

Ramabaja ka thënë se hapja e kësaj çështjeje në një nga periudhat më të vështira, kur është i hapur konflikti në veri, është një agjendë politike që përçan bashkësinë dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese të vendit.

“Ligji rregullon qartë këtë çështje dhe është konform Kushtetutës, ndërkaq urdhëresa e saktëson pse fëmijët nuk duhet të manipulohen nga institucionet si bashkësia ose deputetja, që duhet të ishte në të drejtën e tyre, duke qenë edhe kryetare e Komisionit të të Drejtave të Njeriut. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës që është në shërbim të agjendave të Serbisë dhe Turqisë, duhet të kthjellohen se interesi nacional është në pikëpyetje dhe hapja e temave të tilla përçan bashkësinë dhe është në kundërshtim me frymën kushtetuese të vendit”, tha ai në Euronews Albania.

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, dje në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se askush në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është kundër bartjes së shamive në shkolla.

Deputeti i LVV-së: Askush në parti s’është kundër bartjes së shamisë në shkolla, shpresoj në shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ

Rrahmani ka thënë se udhëzimi duhet të shfuqizohet, sepse sipas opinioneve ligjore ai është jokushtetues.

“Qe nja dy vjet jam deklaruar publikisht për këtë çështje. Është mbështetje që kam kërkuar edhe në Kuvend, edhe në Komisione Parlamentare. Vazhdoj të kërkojë që ai udhëzim të shfuqizohet”, tha Rrahmani.

As brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, sipas tij, nuk ka ndonjë kundërshtim rreth shfuqizimit të udhëzimit administrativ, anipse ministrja Arbërie Nagavci është pjesë e LVV-së.

“Çka mund të themi është se nuk ka kundërshtime (brenda GP të LVV-së), por ka diskutime për mënyrën sesi të largohet ai udhëzim. Kundërshtime brenda subjektit nuk ka pasur deri më tani të paktën publikisht”, tha ai.

Rrahmani ka thënë se nuk ka ndonjë lëvizje në drejtim të shfuqizimit të udhëzimit, por është në kontakt me ministren Nagavci dhe shpreson në shfuqizimin e tij.

“Nuk e di se a do të ketë shfuqizim, sepse është kompetencë e ministres me ndryshu Udhëzimin Administrativ, por ajo që kam parë është se edhe opinioni ligjor si udhëzim është i jashtëligjshëm dhe diçka që është e jashtëligjshme nuk mund të jetë obligative për askënd. Shpresoj se ministria shumë shpejt do ta heqë dhe ta ndryshojë këtë Udhëzim Administrativ për shkak se ka interpretim se është jo kushtetues”, tha Rrahmani për Demokracia.com.

I pyetur se a është diskutuar brenda Grupit Parlamentar të LVV-së kjo çështje, Rrahmani thotë se nuk janë takuar pasi që janë në pushim. “Tash jemi edhe në pushime prej që është bërë temë kjo punë dhe nuk jemi takuar. Kam pasur disa kontakte me ministren, por jo diçka konkrete”, tha Rrahmani.

Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Durim Berisha, ia ka drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ. /Demokracia.com/

Të ngjashme