Lajme
Rama tregon për respektin që Clinton ka për shqiptarët: Mua dhe Hashim Thaçin na uli në tavolinën kryesore
Demokracia
12:11 | 04 Korrik 2023

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rima, ka treguar për respektin e veçantë që sh-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, ka ndaj popullit shqiptar.

Disa ditë më parë, në një intervistë për “Euronews Weekend”, Rama ka treguar detaje interesante për sjelljen e Clintonit ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, këtë respekt ai e ka treguar edhe me vepra.

Duke rrëfyer për pjesëmarrjen e tij në samitin “Clinton Global 1”, ai ka deklaruar se si Clinton në tavolinën kryesore të samitit kishte ulur udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Rama ka bërë me dije se ndonëse në atë samit kishte edhe kryeministra dhe president të tjerë, familja Clinton ishte ulur me ta.

Sipas tij, kjo tregon për respektin që familja Clinton ka për shqiptarët.

“Për shqiptarët ai dhe familja e tij kanë një respekt dhe një ndjenjë afeksioni të jashtëzakonshme, gjë që e kam thënë dikur. E kemi provuar kur kemi qenë të ftuar në një nga ato samitet e Clinton Global 1 në Nju Jork dhe aty kishte rreth 2 mijë vetë që ishin nga bota e biznesit, nga bata e mediave, nga shoqëria civile e gjithë bota. Dhe në tryezën kryesore ishin të ulur Bill Clinton, Hillary Clinton, Hashim Thaçi, i ndjeri Bujar Nishani dhe unë. Pra, ishte respekt për Shqipërinë, respekti për shqiptarët që na vuri ne në tavolinën kryesore. Megjithëse aty kishte edhe kryeministra dhe president të tjerë, familja Clinton ishte ulur me ne”, ka thënë Rama.

Rama ka treguar se nga ky samit i kishte bërë ftesë ish-presidenti amerikan për ta vizituar Shqipërinë.

Më tej, kryeministri shqiptar ka vlerësuar se dy baballarët e mëdhenj të pavarësisë së Kosovës janë Bill Clinton dhe Toni Blair.

Duke komentuar përplasjen e Qeverisë së Kosovës me SHBA-në dhe aleatët tjerë perëndimor, Rama në mënyrë metaforike ka thënë se tani fëmija nuk po i dëgjon baballarët.

“Dy baballarët e mëdhenj të asaj që ndodhi më pas janë Bill Clinton dhe Toni Blair, por ka ardhur një moment që fëmija nuk po i dëgjon baballarët”, është shprehur Rama.

Ish-presidenti Bill Clinton dje për herë të parë ka vizituar Shqipërinë, ku është pritur në mënyrë madhështore nga shqiptarët.

Të ngjashme