ShowBiz
Rama: TikTok-u nuk ka çfarë sqarimesh kërkon, në Shqipëri vendosin shqiptarët
Demokracia
19:33 | 22 Dhjetor 2024

Share:

Numri një i Qeverisë vëren se Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTok-ut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me përgjigjen e platformës TikTok sa i takon ndalimit të këtij të fundit në vend.

Rama shprehet se ndalimi i TikTok-ut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë.

“TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut”, shkruan Rama në median sociale X.

Ai thekson se teksa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, ajo uron që “TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”.

“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga TikToku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo platformë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi”.

Numri një i Qeverisë vëren se Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTok-ut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi nuk ka se si të jetë më i qartë.

“Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikTok-u”.

TikTok, në një përgjigje me email, për Albanian Post, ndaj një kërkese për koment kërkoi “qartësi urgjente nga qeveria shqiptare” për rastin e adoleshenti të therur me thikë.

Kompania tha se “lidhur me incidentin tragjik të përmendur, nuk kemi gjetur asnjë provë që autori ose viktima të kishin llogari në TikTok. Për më tepër, disa raporte kanë konfirmuar se videot që lidhen me këtë incident janë postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”

Kjo deklaratë erdhi vendimit të qeverisë, i cili ka shkaktuar një debat të gjerë në opinionin publik dhe në qarqet ndërkombëtare.

Fëmijët shqiptarë përbëjnë grupin më të madh të përdoruesve të TikTok në vend, sipas studiuesve vendas.

Ka pasur shqetësime në rritje nga prindërit shqiptarë pas raportimeve të fëmijëve që marrin thika dhe sende të tjera në shkollë për t’i përdorur në grindje ose raste ngacmimi të nxitura nga historitë që ata shohin në TikTok.

”Operacionet e TikTok në Kinë, ku është kompania e tij mëmë, janë të ndryshme, duke promovuar si të studiojmë më mirë, si të ruajmë natyrën … e kështu me radhë”, sipas Ramës.

Autoritetet kanë vendosur një sërë masash mbrojtëse në shkolla, duke filluar me një prani të shtuar të policisë, programe trajnimi dhe bashkëpunim më të ngushtë me prindërit.

Rama tha se Shqipëria do të ndjekë se si kompania dhe vendet e tjera do të reagojnë ndaj mbylljes njëvjeçare përpara se të vendosin nëse do ta lejojnë kompaninë të rifillojë aktivitetin në Shqipëri.

Jo të gjithë ishin dakord me vendimin e Ramës për të mbyllur TikTok.

“Vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok … është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë”, tha Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike të opozitës.

“Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”, shtoi ajo.

Të ngjashme