Lajme
Rama takon James O’Brien, në vigjilje të mbledhjes së liderëve rajonalë
Demokracia
19:52 | 21 Janar 2024

Share:

Kryeministri Edi Rama, në median e tij sociale Facebook ka ndarë foto me ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Kjo, në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të Bashkimit Evropian.

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, do të jetë nikoqir i liderëve rajonalë në takimin që do të mbahet lidhur me Planin e Bashkimit Evropian për rritjen ekonomike të ekonomive të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç përfaqësuesve të Brukselit, në Shkup merr pjesë edhe Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për  Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Këtë të dielë pritet që do të nënshkruhen protokollet për qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur, një nismë që bashkon Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë edhe planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Përveç nikoqirit të takimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski, pritet të marrin pjesë Kryeministri Shqiptar, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kryesuesi me Këshillin e Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç si dhe Drejtori i Drejtoratit të KE-së për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit, Gert Jan Kopman.

Veç liderëve politikë, gjithashtu pjesëmarrës në këto takime do të jenë përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit për bashkëpunim rajonal, CEFTA-s dhe Forumit Investues të Odave nga Ballkani Perëndimor.

Gjithashtu, pritet që të ketë pjesëmarrjes të organizatave si USAID dhe disa institucione të tjera ndërkombëtare financiare.

Takimin në Shkup e ka komentuar për mediat në Kosovë, sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Ai tha se takimi është shumë i rëndësishëm, sepse vjen në një moment shumë specifik kur dialogu është i bllokuar.

Muhaxhiri deklaroi se pret presion më të madh ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të qenë më konstruktivë.

“Ekziston një ide e qartë e Perëndimit, BE-së dhe SHBA-ve, që të arrihet një marrëveshje përfundimtare historike mes Kosovës dhe Serbisë, sepse është gjëja më e mirë për Kosovën dhe Serbinë. Pa këtë marrëveshje, tensionet dhe problemet vetëm do të rriten në të ardhmen. Pra, gjëja më e rëndësishme është të arrihet kjo marrëveshje. Tashmë edhe Kurti edhe Vuçiç janë politikanë populistë dhe më mirë për ta që kjo gjendje stagnimi të vazhdojë. Por, për fat të keq, kjo nuk është e mirë për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhaxhiri.

Të ngjashme