Gjatë seancës plenare në Kuvend, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se taksat e naftës nuk do të lëvizin në asnjë rrethanë.
Në fjalën e tij, ai përmendi se prioriteti aktual është ruajtja e çmimit të energjisë dhe mbrojtjes së biznesit të vogël e shtresave në nevojë. Këta të fundit do të lehtësohen ndërsa do të rëndohen shtresat e pasura, të cilat do të paguajnë më shumë.
“Nuk ka asnjë nder në të bërit avokati të heqjes cilësdo qoftë taksës së naftës. E kam thënë dhe e përsëris: Deri kur të jetë këtu kjo qeveri, ato taksa nuk lëvizin, as me fakte alternative të fabrikuara për luftë politike, nuk lëvizin as me shpifje akuza, as me protesta, as me asgjë tjetër. Sepse ajo që ka rëndësi për ne është të mos lëvizë çmimi i energjisë deri kur do mundemi ta mbajmë. Kur nuk do mundemi do themi deri këtu mundëm. Për ne e rëndësishme nuk është që të lehtësojmë ata që kanë më shumë në këtë moment. Ata që kanë më shumë në këtë moment duhet të mbajnë më shumë barrë. Duhet të lehtësojmë ata që kanë më pak në radhë të parë pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, paraplegjikë, tetraplegjikë, që nuk kanë tipikisht fuoristrada dhe vetura, tek të cilët nuk mund të çojmë një faturë energjie të rritur”, tha Rama.