Lajme
Rama rreth spekulimeve për rrëzimin e Kurtit| Jam i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës
Demokracia
14:09 | 20 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Në një konferencë për media, pas përfundimit të mbledhjes së tetë të të dy qeverive, Rama tha se nuk është i interesuar që të përzihet në politikën e brendshme të Kosovës.

“E kam edhe një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që të bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së punëve ndërmjet dy qeverive. Me qeverinë aktuale e kemi shkallën më të lartë të zbatueshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara. Besoj të konsiderohet fakt. Unë jam i pa interesuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”, tha Rama, përcjell Demokracia.com.

Ai tregoi se kanë rënë dakord që me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të mbahet mbledhje e përbashkët ndërmjet kuvendeve të të dyja vendeve.

“Sot kemi rënë dakord që me rastin 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të organizojmë për herë të parë kuvendin e përbashkuar të të dyja republikave, një seancë jubilare ku deputetët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për të adresuar popullin shqiptar kudo që ai ndodhet”, tha Rama.

Ai po ashtu tregoi se në çdo fundvit do të publikohet një revistë e përbashkët, ku do të tregohet për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Po ashtu kemi rënë dakord që në periudhën e fundit të vitit të publikojmë revistën e parë bashkëqeveritare, e cila do t’iu shërbejë për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, marrëveshjet dhe nivelin e zbatimit të tyre. Do të kemi një fletore zyrtare, e cila do të publikohet çdo fundvit”, shtoi ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme