Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vdekjes së një 30-vjeçarit si pasojë e rrëzimit të lisit në rrugën “Vaso Pasha”, në Prishtinë.
Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook iu ka shprehur ngushëllime familjes, kurse të lënduarës i uron shërim sa më të shpejtë.
“Me shumë keqardhje mora lajmin për humbjen e jetës së një qytetari si pasojë e dëmeve nga stuhia që përfshiu sot Kryeqytetin. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e të ndjerit, dhe të lënduarëve ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Rama.
I pari i kryeqytetit ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në vendet ku llogaritet të ketë rrezik.
“Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar nga rreziqet potenciale që mund të shkaktohen nga moti i keq i paralajmëruar për ditët në vijim”, ka shkruar tutje Rama./Demokracia.com/