Lajme
Rama me video nga sheshi “Xhorxh Bush”: Sveçla e Çeku po detyrojnë policinë me i ndërpre punimet
Demokracia
17:39 | 29 Prill 2025

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar të martën pas ndërprerjes së përsëritur të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, duke akuzuar Qeverinë për ndërhyrje të paarsyeshme dhe pengim politik të projekteve të kryeqytetit.

Sipas Ramës, ndërhyrja është bërë me presion nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa në vendngjarje është përfshirë edhe policia.

Ai tha se ndërprerja është arsyetuar me pretendimin se një pjesë e rrugës konsiderohet trashëgimi kulturore, ndërsa pjesa tjetër jo.

“Gjysma e asfaltit qenka trashëgimi kulturore, gjysma tjetër e asfaltit jo! Me këtë arsyetim i paskan dërgu sot – për me i ndalu punimet në sheshin ‘Xhorxh Bush’,” ka shkruar Rama në një reagim publik.

Ai shtoi se institucionet po veprojnë pa bazë ligjore dhe po pengojnë punimet për arsye politike.

“Kjo qeveri në ikje i shfrytëzon të gjitha instancat në mënyrë joligjore sepse nuk kanë asnjë dokument apo bazë ligjore dhe e ndërprejnë,” tha ai.

Kryetari i Prishtinës theksoi se do të vazhdojnë me realizimin e projektit dhe paralajmëroi kallëzime penale për të gjithë ata që, sipas tij, po e pengojnë zhvillimin e kryeqytetit.

Për të tretën herë ndalen punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

 

Të ngjashme