Lajme
Rama: Qeveria ndikoi te asamblistët e LVV-së për dështimin e mbajtjes së “Sunny Hill”
Demokracia
19:08 | 14 Qershor 2022

Share:

Festivali muzikor “Sunny Hill”, këtë vit nuk do të mbahet në Prishtinë siç ishte mbajtur në të kaluarën.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ky festival ka dështuar që të mbahet në kryeqytet për shkak të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti dhe presioneve që iu bë asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, ka shkruar Rama në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Postimi i plotë i Ramës, pa ndërhyrje:

Të nderuar qytetarë të Prishtinës,

Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë.

Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.

Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit. /Demokracia.com/

Të ngjashme