Lajme
Rama për marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës: Jo gjithçka shkon vaj
Demokracia
20:53 | 27 Gusht 2021

Share:

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e pranoi edhe njëherë se jo gjithçka shkon vaj në marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti, pas përplasjeve për nismën e “Ballkanit të Hapur”, ku Prishtina është pozicionuar kundër.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, Rama tha se do të punojnë me përkushtim me qeverinë e Kosovës për projektet mes dy vendeve.

“Me qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për “Ballkanin e Hapur” ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes, por ne do të punojmë me përkushtim që me qeverinë e Kosovës të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore duke u përkushtuar në ato punë dhe drejtime që na bashkojnë dhe duke trajtuar me durim mosdakordësinë për “Ballkanin e Hapur” që është zgjedhje e drejtë për të ardhmen e këtij vendi dhe rajoni ku sa më shumë të hapemi dhe ndërveprojmë aq më shumë do të forcohemi në funksion të perspektivës europiane”, tha ai.

Ai shtoi se në marrëdhëniet me Kuvendin e Kosovës, duhet një qasje dhe cilësi e re.

“Duhet një qasje dhe cilësi e re në marrëdhëniet me Kuvendin e Kosovës, duhet të jemi shumë më të pranishëm në Prishtinë për të diskutuar atje për të ndarë opinione në interes të dy shteteve dhe do i ftojmë shumë më tepër ata”, tha kryeministri shqiptar.

Tutje, Rama tha se “Ballkani i Hapur” e bën më të fortë si Shqipëri dhe faktor shqiptar./Mapo

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2025