Lajme
Rama: Në shtator do t’i drejtohemi Këshillit të Evropës për raportin e Dick Martyt
Demokracia
14:52 | 20 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se në shtator do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për raportin e Dick Martyt. 

Ai ka theksuar se është shumë shqetësuese pabazueshmëria e raportit të Martyt, shkruan Demokracia.com.

“Ne jemi duke e përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe unë do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, i cili bëhet gjithnjë e më shqetësues në këndvështrimin tim dhe tonin që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martyt, si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe të trafikut të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është një akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse, duke pasur parasysh që në KS të OKB Rusia ka goditur sërish dhe duke pasur parasyh që në aktakuzën ndaj Hahsim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit nuk ka edhe asnjë fakt të lidhur me raportin e Dick Martyt, që ishte gjithë rruga që u mor shkas për të shkuar deri tek Gjykata Speciale. Për këtë dikush duhet të hapi veshët, të dëgjojë, bota duhet ta dëgjojë, sponsorët e atij Tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai Tribunal u formulua për t’i dhënë përgjigje akuzave të ngritura nga Dick Marty. S’ka asnjë gjë në aktakuzë. Zero. Dhe ne kemi të gjithë të drejtën që të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën dhe shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, tha Rama.

Ai ka folur edhe për vizitën te prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Kjo është shumë personale dhe respekt për ta komentuar gjatë. Marrëdhënia ime me presidentin Thaçi dihet botërisht. Edhe në formularin e kërkesës për vizitë e kam shkruar se arsyeja e vizitës ishte se më kishte marrë malli. Kështu që ka qenë nder dhe kënaqësi e veçantë, që dje të takohem me prindërit dhe familjen e tij”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme