I ftuar në emisionin “Wake Up America” në SHBA, Rama ka deklaruar se Shqipërisë nuk varet nga gazi rus, pasi është tërësisht me energji të ripërtëritshme.
Më tej Rama ka theksuar se sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës, popullariteti i Putinit në Shqipëri është më pak se 1% dhe ku 99% e më shumë e njerëzve besojnë se kjo është e gabuar dhe se ky agresion është i papranueshëm dhe ne duhet të qëndrojmë krah Ukrainës.
Z. Kryeministër, 7 muaj më parë, nuk ma ha mendja që shumë njerëz në Amerikë e dinin ku binte Ukraina në hartë. Kjo është pjesa juaj e botës, Shqipëria nuk është larg shumë prej Ukrainës, a mund të flisni për mënyrën sesi kjo luftë ka ndikuar në popullin shqiptar, në këtë pjesë të botës?
Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari, më duhet të ndaj me ju dhe me audiencën tuaj që Shqipëria është një rast i veçantë sepse ka një histori të veçantë. Ne kemi qenë “Koreja e Veriut” e Europës. Ishim të izoluar nga Perëndimi e Lindja dhe nuk kishim lidhje me Kremlinin qysh prej 1960-ës, për arsye të këqija, sepse diktatura jonë donte që Kremlini të mbetej stalinist, që të ishte në mënyrë të pamëshirshme kundër çdo lloj dialogu me Perëndimin, e kështu me radhë. Por, nga ana tjetër, kjo histori na bëri tërësisht të distancuar prej Rusisë dhe në këto 30 e pak vite të ndërtimit të demokracisë, nuk kemi pasur asnjëherë shkëmbime serioze dypalëshe, nuk kemi patur asnjëherë një president rus që të vizitojë Shqipërinë, asnjëherë ne nuk kemi vizituar Kremlinin, kështu që, nuk më mungon, vërtetë.
Nga ana tjetër, ne nuk varemi nga gazi rus, jemi tërësisht me energji të ripërtëritshme në Shqipëri, me probelemet tona, sigurisht sepse është energji në bazë të burimeve hidrike dhe kur Ai lart nuk qan mjaftueshëm, na duhet të vuajmë shumë mungesën e ujit, na duhet të importojmë, ndikohemi kësisoj nga çmimi, por e thënë gjithë kjo, e përmbyll, duke thënë se nuk është e vështirë që të ruajmë një qëndrim të fortë në një vend ku popullariteti i Putinit është më pak se 1% dhe ku 99% e më shumë e njerëzve besojnë se kjo është e gabuar dhe se ky agresion është i papranueshëm dhe se ne duhet të qëndrojmë krah Ukrainës dhe se duhet të qëndrojmë për atë në të cilën besojmë.