Lajme
Rama në letrën drejtuar Blinkenit: Synojmë të presim Samitin e NATO-s 2027
Demokracia
18:54 | 26 Shkurt 2024

Share:

Në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për vizitën e fundit të Sekretarit Blinken në Shqipëri më 15 shkurt. Në këtë letër, Kryeministri Rama ka riafirmuar përkushtimin e qeverisë së tij ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe synimet për promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

Rama ka shprehur vlerësimin e tij për vizitën e Sekretarit Blinken dhe për të gjithë ata që kontribuan në organizimin e saj, veçanërisht Ambasadën Amerikane në Tiranë. Ai gjithashtu ka përsëritur angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të mbështetur reformën e shtetit të së drejtës si një bazë kritike për demokracinë shqiptare dhe për luftën kundër korrupsionit.

Në këtë kontekst, Kryeministri Rama ka theksuar rëndësinë e punës së bashku për të reformuar sektorë të tjerë kritikë të shoqërisë, duke përfshirë ndërtimin e një infrastrukture të fortë ligjore dhe institucionale për të përmbushur synimet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.

Përpara Samitit të ardhshëm të NATO-s në Uashington, Kryeministri Rama ka siguruar Sekretarin Blinken për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Në përfundim të letrës, Kryeministri Rama ka rikonfirmuar synimin e Shqipërisë për të pritur Samitin e NATO-s në vitin 2027. Ai ka theksuar se kjo ngjarje do të ishte me rëndësi historike dhe strategjike për rajonin dhe për Aleancën e NATO-s.

Letra e plotë, e publikuar në X nga kryeministri Rama:

Të ngjashme