Lajme
Rama në Beograd: Ballkani i Hapur është një projekt paqeje
Demokracia
17:54 | 01 Shtator 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Ballkani i Hapur është një projekt paqeje.

Në Beograd të Serbisë, derisa po merr pjesë në panairin e verës, Rama tha rajoni nuk duhet të vuaj më nga hijet e së shkuarës, por duhet të bëhet gjithnjë e më shumë vend i të ardhmes.

“Fakti që jemi këtu të gjithë së bashku duhet të na inkurajojë edhe më shumë dhe duhet të na bëjë të gjithëve gjithmonë e më të bindur se Ballkani i Hapur është shumë më tepër sesa ekonomi, shumë më tepër sesa tregti dhe është shumë më tepër sesa politikë, po e po. Ballkani i Hapur është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, është një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen, në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Evropës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës por të bëhet gjithnjë e më shumë vendi i të ardhmes për të gjithë rininë tonë”, tha ai.

Sipas ti, përmes Ballkanit të Hapur sot ka rritje të vëllimit tregtar mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ndërkohë sot ne kemi një vëllim tregtar mes tre vendeve tona, i cili është nga afro 60 milionë, flas vetëm për prodhimet bujqësore, në afro 100 milionë. 36 milionë euro më shumë sesa vetëm një vit më parë dhe potenciali është shumë herë më i madh pa diskutim dhe këto nuk janë veçse hapat e parë të një rritjeje që do të jetë e vazhdueshme dhe të një shfrytëzimi gjithnjë e më të madh dhe të dobishëm të potencialit tonë. Ashtu sikundër eksportet shqiptare me Serbinë janë rritur vitin e fundit, flas përsëri për eksportet bujqësore dhe për fertilizatorë, afro 30 %. Po kështu edhe me Maqedoninë e Veriut, pak më pak por gjithsesi afro 30 %.Të gjitha këto të dhëna dhe plotë të tjera ne na mjaftojnë për ta vazhduar ta çojmë përpara këtë nismë, një nismë që nuk është nismë e jona, por është një nismë për njerëzit, është një nismë që u takon njerëzve, është një nismë që u takon të gjithë atyre që prodhojnë, të gjithë atyre që eksportojnë, importojnë, të gjithë atyre që ofrojnë shërbime, të gjithë atyre që zhvillojnë industrinë tonë turistike, të gjithë atyre që vizitojnë vendet tona dhe patjetër edhe të gjithë vajzave dhe djemve, të rejave e të rinjve të gjithë vendeve tona, të cilëve shpresoj që kjo rrugë e hapur t’ju pëlqeje, t’u pëlqejë shumë më tepër sesa rrugët e mbyllura të së shkuarës dhe të kontribuojnë që ta zgjerojnë këtë rrugë dhe ta çojnë gjithnjë e me shumë përpara”, theksoi ai.

Duke folur për panairin e verës, Rama tha se synojnë që të njëjtit të zhvillojnë në mënyrë të përvitshme, duke spostuar nga njëri kryeqytet në tjetrin.

“Sot këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria, ndërkohë që në Shqipëri çdo vit rritet me 10 % sipërfaqja e vreshtave dhe unë jam i bindur që ky panair, edicioni i parë i të cilit mbahet në Beograd dhe synojmë ta zhvillojmë në mënyrë të përvitshme duke e spostuar nga njëri kryeqytet në tjetrin, do të nxisë edhe plotë të tjerë që të përfshinë në këtë aktivitet”, shtoi ai.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se Ballkani i Hapur ka sjell vetëm gjëra të mira, përkundër të gjitha kritikave.

“Ideja jonë për Ballkanin e Hapur gjithmonë ka pasur nga ata që kanë qenë kundër, ka pasur kritikë, apo nga ata që kërkonin të gjenin gjilpërën në kashtë, për arsye të ndryshme, shumë njerëzve s’iu pëlqeu kjo ide. Kjo në fakt na ka sjellë më pranë njëri tjetrit. Ballkani i Hapur ka sjellë vetëm gjëra të mira dhe ne do vijojmë të punojmë më me zell, për një Ballkan më të mirë e më tërheqës. Uroj ta shijojmë këtë nismë.” -u shpreh Vuçiq.

Kurse, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, tha se me të tilla aktivitete në kuadër të Ballkanit të Hapur mund të zhvillojnë marrëdhëniet ekonomike.

“Me të tilla aktivitete në kuadër të Ballkanin e Hapur ne mund të zhvillojmë mënyrën si jetojnë njerëzit këtu, mund të zhvillojmë marrëdhëniet ekonomike”, tha ai.

Pjesë e hapjes së panairit ishin edhe disa liderë të tjerë rajonal, partnere të nismës Ballkani i Hapur.

Të ngjashme